
SHBA - Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së, CIA, ka publikuar një video në gjuhën ruse, në përpjekje për të bindur punonjësit e inteligjencës ruse të ndryshojnë kah dhe të punojnë si agjentë të dyfishtë për Uashingtonin. Drejtori i CIA-s, William Burns, tha në korrik se pakënaqësia mes disa rusëve për luftën në Ukrainë po krijonte një mundësi të rrallë për të rekrutuar spiunë dhe se CIA nuk do ta lërë këtë mundësi t’i rrëshqasë nga duart.
Videoja, e publikuar në kanalin zyrtar të CIA-s në X, përpiqet të joshë ato që i konsideron rusë patriotë, që punojnë për shërbimet e inteligjencës, të cilët mund të ndihen të tradhtuar nga ajo, që FBI e quajti korrupsion në qarqet elitare ruse dhe nga infrastruktura e dobët, që janë pajisur forcat e armatosura të Rusisë dhe si furnizohen. “Ata përreth jush mund të mos duan të dëgjojnë të vërtetën. Por ne e bëjmë. Ju nuk jeni të pafuqishëm”, thotë videoja, e fundit në një seri videosh rekrutimi që ‘synojnë’ Rusinë, përpara se të jepen detaje për mënyrat, për të kontaktuar me CIA-n.
Video, shoqëruar me muzikë klasike melankolike, personazhi kryesor imagjinar i videos është një punonjës mashkull 35-vjeçar i paidentifikuar i agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë, i cili e tregon veten si një patriot, që e do Rusinë dhe dikur ka shërbyer si parashutist. "A kam guxim të mjaftueshëm për t'u përballur me këtë tradhti?", thotë ai në video, para se të deklarojë se e ka kuptuar se armiku i vërtetë është brenda Rusisë në formën e një lidershipi dhe elite të korruptuar.
“Udhëheqja e lartë e ka shitur vendin për pallate dhe jahte në një kohë kur ushtarët tanë hanë patate të kalbura dhe qëllojnë me armët parahistorike. Njerëzit tanë janë të detyruar të japin ryshfet për të gjetur punë,” thotë burri, teksa në videoklip shfaqet jeta e zymtë ruse, e kundërt me jetën e luksit, që bën elita në Moskë. Personazhi imagjinar thotë se patriotizmi i tij e ka nxitur të veprojë dhe të punojë me CIA-n dhe në fund të videos shfaqet një burrë i veshur mirë, duke kontaktuar CIA-n nga një celular, në një peisazh me dëborë.
Почему я связался с ЦРУ: Ради Родиныhttps://t.co/mhQbzet5X2 pic.twitter.com/sBNWgc93PM
— CIA (@CIA) January 22, 2024
Kremlini reagon për videon e CIA-s
Kremlini thotë se është bërë gjithçka për të siguruar që ushtria ruse të ketë pajisjet që i nevojiten për të qenë e suksesshme, në atë që Moska e quan "operacioni i saj special ushtarak" në Ukrainë. Moska ka hedhur poshtë si të rreme akuza të ndryshme për korrupsion. “E dini, kjo praktikë është mjaft e zakonshme, agjencitë e inteligjencës në mbarë botën përdorin shumë shpesh mediat dhe rrjetet sociale për të rekrutuar punonjës të rinj. Dhe ata e bëjnë atë gjatë gjithë kohës, CIA e bën atë çdo vit”, tha të martën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ai shtoi se SHBA ka bërë një gabim të madh, sepse videon e ka hedhur në X dhe jo në VKontakt, rrjet social që përdoret më tepër në Rusi.
"Dikush duhet t'i thotë CIA-s se në vendin tonë (rrjeti social rus) VKontakte është shumë më popullor se X i ndaluar. Dhe se audienca e VKontakte është shumë më e madhe", tha Peskov./Global News - ZËRI/