
BRITANI- Udhëheqësi laburist i Britanisë, Keir Starmer, partia e të cilit është favorit për të fituar zgjedhjet e përgjithshme të 4 korrikut, u zotua të reduktojë emigrancionin në vend në një intervistë për gazetën The Sun.
"Unë do të reduktoj numrin e emigracionit," tha Starmer, një çështje që konservatorët, të cilët kanë qenë në pushtet për 14 vjet në Britani, e kanë vënë në qendër të debatit publik.
Emigracioni u rrit në 685,000 njerëz në vitin 2023, sipas shifrave zyrtare, niveli i dytë më i lartë pas rekordit të vitit 2022 (764,000).
"Nëse më besoni çelësat" e Downing Street, unë ju jap këtë premtim, do të kontrolloj kufijtë tanë dhe do të sigurohem që kompanitë britanike të marrin ndihmë për të punësuar britanikët fillimisht," tha lideri laburist, një ish-avokat i specializuar në të drejtat e njeriut.
Për të arritur këtë, laburistët planifikojnë të ndalojnë bosët e kompanive që shkelin ligjet e punësimit të punësojnë punëtorë nga jashtë dhe të sigurojnë që britanikët të trajnohen për të plotësuar punë në sektorë ku ka mungesë të fuqisë punëtore dhe që kërkojnë nga të huajt të lëshojnë viza pune. Është hera e parë që Starmer, partia e të cilit kryeson konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak me rreth 20 pikë, është zotuar të reduktojë emigracionin.
"Unë nuk do të tërhiqem përballë sfidës," theksoi ai, duke denoncuar "dështimin" e konservatorëve për të reduktuar emigracionin, pavarësisht angazhimeve të tyre.
"Duhet të ekzistojë gjithmonë opsioni për të punësuar një punëtor britanik fillimisht," tha Starmer në intervistën e tij për The Sun, e cila theksoi rrezikun që deklarata të tilla mund të ndezin "luftë" midis liderit laburist dhe krahut të majtë të partisë, me të cilin marrëdhëniet e tij tashmë janë të acaruara.
Starmer ka njoftuar tashmë se nëse laburistët fitojnë, ai do të anulojë menjëherë planin shumë të diskutueshëm të konservatorëve për të dërguar emigrantë të paligjshëm në Ruandë./ZËRI