
Pse krimi na magjeps kaq shumë? Shpjegimi është... i ndërlikuar. Përgjigja më e pafajshme ka të bëjë me tendencën e shumë shikuesve për të bashkuar me zgjuarsi të dhëna që të tjerët i shpërfillin, për t'u marrë me diçka të re dhe për t'u bërë për një moment vetë detektivë të vërtetë. Rastet që u shkruan historinë e botës së krimit vazhdojnë të transmetohen dhe “konsumohen” me qejf në platformat e transmetimit. Edhe nëse ka kaluar shumë kohë nga data e daljes së tyre, ato rikthehen në preferencat e publikut.
Disa raste mbeten të pazgjidhura, të tjera na njohin me personazhe që ende mbjellin terror. Gangsterë, të zhdukur, personazhe televizive dhe vrasës serialë. Por a doni disa sugjerime? Këtu janë disa shembuj kryesorë që mund t'i shikojmë në Netflix.
Arrestimi i Gotit
Tre episode për historinë e kryemafiozit famëkeq të Nju Jorkut, sapo kanë dalë në Netflix. Seriali dokumentar prezanton nga të dyja anët e ligjit, pa anashkaluar ndjekjen e paprecedentë nga FBI-ja. Gotti la gjurmën e tij në botën e krimit amerikan. Pamjet arkivore, kasetat audio dhe intervistat me ish mafiozët dhe agjentët e FBI-së na rikthejnë në vitet '80.
Kush e vrau Jill Dando?
Vrasja e gazetares britanike Jill Dando në vitin 1999 tronditi botën dhe sot e kësaj dite mbetet e pazbardhur. Një nga hetimet më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar po rikthehet sërish në ekranet tona. Tre episode të misterit të vrasjes përbëjnë një seri dokumentarësh që rrënon thellë për atë që ndodhi me 'vajzën e artë' të BBC-së.
Biseda me një vrasës: Ted Bundy
Intervistat, audio dhe pamjet arkivore bashkohen për të zbuluar portretin e Ted Bundy, vrasësit më të madh serial të Amerikës. Mendja e studentit simpatik të drejtësisë, i cili rrëfeu për dhjetëra vrasje, zbulohet në një dokumentar që përmban intervista që ai u dha gazetarëve në vitin 1980, ndërsa priste ekzekutimin.
Ripper
Hetuesit dhe dëshmitarët si dhe ata që u shpëtuan në momentin e fundit, riformësojnë historinë e vrasësit serial që mbolli terror në veri të Anglisë në vitet '70. Personazhi i tij ndërtohet përmes intervistave, secila prej të cilave vendos gurin e vet të vogël në krijimin e "Xhek Ripper të ditëve moderne". Kush ishte Peter Sutcliffe?
Ku është Marta?
Kur adoleshentja Marta u zhduk në Spanjë në vitin 2009, rasti i saj u bë kryefjalë në mediat botërore. Sot duket sikur nuk është mbyllur ende. Personat e përfshirë në ngjarje flasin para kamerës së dokumentarit dhe kujtojnë që në fillim hap pas hapi lëvizjet e tyre në ditën e fundit. Çfarë kanë bërë të dyshuarit? Pse rrëfimet po ndryshonin vazhdimisht dhe, më e rëndësishmja, ku është Marta?
Vrasjet e Alcácer
Më 13 nëntor 1992, tre vajza nga Alcácer, një zonë pranë Valencias, zhduken. Atë pasdite Toni, Miriami dhe Desiree shkuan me autostop në një disko. Së shpejti zhdukja e tyre do të kthehej në një betejë televizive kombëtare. Dritat e transmetimit, kamerat që regjistronin reagimet e familjes dhe provat që çuan në një kërkim të furishëm për fajtorët, formuan një nga rastet më të famshme në historinë spanjolle. Personat e përfshirë në ngjarje janë ende në kërkim edhe sot./Zëri.ai