
FRANCË- Disa aeroporte janë evakuuar mëngjesin e kësaj të mërkure në Francë, pas “kërcënimeve për sulme” të marra me email.
Aeroportet në fjalë janë Lille, Lyon (Bron), Nantes, Nice, Toulouse, Beauvais, tha një burim për AFP.
Për pasojë janë anuluar dhjetëra fluturime që ishin parashikuar të kryeheshin në këto aeroporte.
Gropi ADP – i cili menaxhon aeroportet e Parisit Charles de Gaulle, Paris Orly dhe Le Bourget – siguroi nga ana e tij se nuk ishte i shqetësuar, në këtë fazë, nga këto kërcënime me bombë që duket se prekin pothuajse të gjithë aeroportet franceze.
“Asnjë nga aeroportet e Parisit nuk është prekur nga kërcënimet për bombë. Megjithatë, padyshim që mbetemi plotësisht vigjilentë”, shpjegon kompania për Le Figaro.
Ditët e fundit, disa kërcënime me bombë kanë prekur shkollat, por edhe Muzeun e Luvrit dhe Château de Versailles në Francë, ndërkohë që dhe në Romë ka pasur indicia të ngjashme.