Bota

Kërcënoi se do vriste hebrenjtë, burgoset studenti në SHBA

Patrick Dai kishte bërë thirrje të dhunshme kundër hebrenjve në rrjetet sociale. Prindërit e tij thanë se kanë frikë se i biri mund të kryejë vetëvrasje.

D.XH
Kërcënoi se do vriste hebrenjtë, burgoset studenti në SHBA
Patrick Dai

SHBA- Një student në një kolegj elitar të Nju Jorkut është burgosur, pasi u paraqit në gjykatë, i akuzuar për postimin e kërcënimeve dhe thirrjeve për dhunë ndaj studentëve hebrenj.

Prokurorët thonë se Patrick Dai, 21 vjeç, kërcënoi se do të sillte një armë në kampusin e Universitetit Cornell dhe do të përdhunonte gratë hebreje e të priste kokën e çdo foshnjeje izraelite.

Studenti i inxhinierisë u paraqit në gjykatë, teksa akuzohet për kërcënime për vrasje ose plagosje. Dënimi për këtë vepër penale shkon deri 5 vite burg.

Nëna e Dai ishte në gjykatë në Syracuse. Prokurori Geoffrey Broun kërkoi që për Dain të caktohet masa e paraburgimit, duke vënë në dukje se ai kishte vizituar një menzë në kampus, përpara se të postonte fjalë kërcënuese në rrjetet sociale.

Cornell Daily Sun, gazeta e kolegjit, së pari raportoi për një seri komentesh antisemitike të postuara në faqen e internetit Greekrank. Prindërit e Dai i thanë New York Post se djali i tyre vuan nga depresioni i rëndë.

"Ai nuk mund të kontrollojë mirë emocionet e tij për shkak të depresionit. Nuk mendoj se ai do të bënte ndonjë gjë të keqe. Ai thjesht mendonte se jeta e tij nuk kishte më kuptim, ne i kemi dhënë mbështetjen e duhur”, deklaroi babai i Dait. Ai shtoi se kishte frikë se mos i biri kryente vetëvrasje.

Në një deklaratë, Universiteti Cornell tha se dënon deklaratat e studentit. "Ne mbetemi të tronditur dhe i dënojmë këto kërcënime të tmerrshme, antisemitike dhe ligji duhet të veprojë, njësoj për të gjithë”, u tha në deklaratë.

Universiteti tha se policia do e mbajë kampusin në vëzhgim në ditët në vzhdim. Molly Goldstein, bashkë-presidente e Qendrës Cornell për Jetën Hebraike tha për CNN se studentët hebrenj në kampus tani janë jashtëzakonisht të tmerruar për jetën e tyre.

Kërcënimet kundër komunitetit hebre të Cornell-it erdhën pas raportimeve për rritje të incidenteve antisemitike në të gjithë vendin.

Duke folur në një komitet të kongresit të martën, drejtori i FBI-së, Christopher Uray u tha deputetëve se antisemitizmi po arrinte nivele historike në SHBA.

"Statistikat tona do të tregojnë se për një grup që përfaqëson vetëm rreth 2.4% të qytetarëve amerikanë, ka krime krime urrejtje në masë të madhe”, tha Uray.

Ai vuri në dukje se kjo shifër ndoshta ishte rritur që kur shpërtheu konflikti Izrael-Gaza më 7 tetor.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ky i fundit ka nisur tashmë një operacion në Gaza. Më shumë se 10 mijë njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB