
KOSOVË – Ministrat e kabinetit të Albin Kurtit, Xhelal Zveçla dhe Elbert Krasniqi janë krenuar, kur ata mbyllën 4 zyra të komunave paralele në Vranisht të Dragashit. Ministri Krasniqi deklaronte se 4 komunat paralale në Dragash kanë vepruar dhe lëshuar dokumente në mënyrë të paligjshme, për komunat e Prizrenit, të Suharekës dhe Rahovecit.
Në mesin e njerëzve që ishin si staf në këto komuna paralele dyshohet se ishte edhe këshilltari politik i Kurtit, Edison Beçiri. Ky i fundit shfaqet në një fotografi, e publikuar nga ana e ministrit të MAPL-së. Krasniqi tregon se edhe Beçiri ndodhej në mesin e zyrtarëve të këtij institucioni ilegal, pranë kësaj komune, e cila ishte funksionale deri më datë 26 janar 2024.
Qeveria e Kosovës nuk e ka dhënë një sqarim se përse Beçiri ndodhej aty. Gjithsesi, masat kundër tij nuk kanë munguar. Tani ai është shkarkuar nga detyra e këshilltarit të kryeministrit Kurti. Vendimi është siguruar nga mediat e Kosovës. Edison Beçiri ishte emëruar këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, me propozim të Partisë Unike Gorane, të cilën e drejton Adem Hoxha. Përpara se të zinte këtë pozicion, Beçiri ka qenë pronar i një biznesi, që merrej me shitje hamburgerësh. Megjithatë, në fotografinë e bërë publike, ai nuk ishte vetëm.
Shumë pranë tij shihet edhe Fejsal Haliloviç, nënkryetar i komunës së Dragashit, të cilën e drejton Bexhet Xheladini i LDK-së. Xheladini ka deklaruar se çështja i takon organeve të sigurisë. Për foton e nënkryetarit të Dragashit, ka reaguar edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Sharr. Megjithatë, nga fotografia është larguar këshilltari i Kurtit. Sipas njoftimit të bërë nga ministri Krasniqi, 4 komuna në Dragash kanë vepruar dhe lëshuar në mënyrë të kundraligjshme, dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës dhe Rahovecit./ZËRI/