
SHKUP- Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski ka bërë të ditur detaje të reja për tragjedinë në Koçan. Ai tha se ka pasur të dyshuar, ka pasur edhe arrestime, por shtoi se disa nga të dyshuarit kanë vdekur. Sipas tij, në spital ndodhen katër persona, dy anëtarë të grupit muzikor, djali i pronarit dhe drejtuesi i personit juridik që menaxhonte diskotekën.
“Janë rreth njëzet të dyshuar, prej të cilëve rreth 15 persona janë në stacion policor, disa nga të dyshuarit janë të vdekur, sipas dyshimeve që kemi deri më tani sa i përket të dyshuarve, disa janë në spitale”.
Disa të tjerë, ndodhen aktualisht në komisariat. Deri më tani raportohet se janë ndaluar një ish-sekretar i Ministrisë së Ekonomisë, një ish-drejtor i një sektori të Ministrisë së Ekonomisë, një ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe tre punonjës të Drejtorisë.
Tashmë hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse klubi i natës kishte apo jo licensë.
"Kjo kompani nuk ka licencë të ligjshme operimi. Nuk do të doja të zbuloja më shumë detaje, por dua të them se kjo licencë, si shumë gjëra të tjera në Maqedoni në të kaluarën, është e lidhur me ryshfet dhe korrupsion. Më lejoni t'i kujtoj opinionit maqedonas se ndryshe nga më parë, në këtë rast ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt në dhënien e paligjshme të licencave do të kenë emër dhe mbiemër dhe do të mbajnë përgjegjësi,”-shtoi Toshkovski.
Licensa e fundit e operimit ishte lëshuar më 13 mars 2023 dhe ishte e vlefshme për një vit. Por tashmë në publik ka dalë një licencë e re, për të cilën burime të "TV21" nga Ministria e Brendshme pretendojnë se është e falsifikuar. Sipas dokumentit të “lëshuar” më 13 mars 2024, shkruhet se licensa ka qenë e vlefshme deri më 13 mars 2025, por duket se nuk është siç pretendohet.
Në këtë rast kanë dështuar edhe organet kompetente, si pushteti vendor, inspektorati shtetëror i tregut, inspektorati i mjedisit, policia dhe zjarrfikësit. Të gjitha këto autoritete është dashur të kontrollojnë nëse ky objekt i plotëson kërkesat kryesore të sigurisë të Rregullores për Kërkesat Minimale Teknike për Kryerjen e Aktiviteteve Katering./ZËRI