Bota

Kosova pa president të zgjedhur, Osmani dorëzon sot postin kryeparlamentares Haxhiu

Sipas Kushtetutës së  Republikës së Kosovës, kryeparlamentari ushtron detyrën e përkohshme të Presidentit, duke garantuar vazhdimësinë institucionale, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.

l.k
Kosova pa president të zgjedhur, Osmani dorëzon sot postin
Vjosa Osmani & Albulena Haxhiu

PRISHTINË- Sot përfundon mandati pesëvjeçar i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Në mungesë të zgjedhjes së një presidenti të ri, ajo pritet t’i dorëzojë detyrën Albulena Haxhiu, kryetares së Kuvendit të Kosovës. Ceremonia e dorëzim-pranimit do të mbahet në Kabinetin e Presidentes në orën 16:00.

“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia dorëzon detyrën Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes,” shkruhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas Kushtetutës së  Republikës së Kosovës, kryeparlamentari ushtron detyrën e përkohshme të Presidentit, duke garantuar vazhdimësinë institucionale, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.

Në seancën e fundit, më 5 mars, në Kuvendin e Kosovës nuk u arrit një konsensus mes palëve për zgjedhjen e presidentit. Të nesërmen, Vjosa Osmani, me anë të një vendimi, shpërndau Kuvendin, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri, duke synuar të thërrasë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Dekreti i Osmanit shkoi në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Vetëvendosje, që udhëheq vendin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor më 25 mars 2026, kur kjo gjykatë vendosi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik dhe rivendosi afatin për zgjedhjen e presidentit, duke i dhënë ligjvënësve 34 ditë kohë për të zgjedhur kreun e shtetit.

Presidentja Osmani ishte zgjedhur më 4 prill 2021, me 71 vota pro në raundin e tretë të votimit, pasi në raundin e parë dhe të dytë nuk kishte arritur shumicën e kërkuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB