Bota

Kurti: Radoiçiç po përgatit sulm terrorist në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehet se Milan Radoiçiç po përgatit tjetër sulm terrorist në Kosovë. Ai shprehet se Serbia e Rusia po synojnë ta destabilizojnë rajonin.

D.XH
Kurti: Radoiçiç po përgatit sulm terrorist në
Albin Kurti

PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një postimi në rrjetet sociale, shkruan se Milan Radoiçiç po përgatit sulm terrorist në Kosovë.

Kurti shprehet se Radoiçiç ka zhvilluar një mbledhjen me 40 politikanë serbë në Rashkë, ku ndër të tjera është kërkuar që të mblidhen vota për partinë e Vuçiç në zgjedhjet serbe. Ndër të tjera, kryeministri i Kosovës përmend emrat ë atyre që kanë marrë pjesë në mbledhjen. Kurti shprehet se përveç deputetëve të Listës Serbe, në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviç dhe Dalibor Jevtiç, si dhe Svetllana Milladinov, zëvendëse e Petar Petkoviçit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.

Po ashtu, Kurti shprehet se Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në kufirin me Kosovën, ndaj KFOR, EULEX e BE duhet të dalin me raport publik zyrtar, ku t’i atribuojnë Serbisë aktin e terrorizmit dhe agresionit. Albin Kurti shton se Rusia mund të destabilizojë rajonin, andaj duhet shumë kujdes.

Postimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti:

Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.

Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.

Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.

Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore.

Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës.

U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.  KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit.

Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës.

Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit.

Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës.

Milan Radoiçiç së bashku me një grup serbësh të armatosur, disa muaj më parë, qëlluan mbi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Efektivi Afrim Bunjaku u vra, si dhe 3 terroristë u ekzekutuan nga policia, pasi nuk pranuan të dorëzohen. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB