KUVAJT- Në orët e para të mëngjesit të sotëm, qiellin e Kuvajtit e kanë përshkuar raketa dhe dronë, duke shkaktuar panik dhe alarm në disa zona të kryeqytetit dhe rrethinave. Lajmin e bëri të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura përmes një postimi në rrjetin social X, duke siguruar qytetarët se situata është nën kontroll.
“Mbrojtja ajrore e Kuvajtit po zmbraps sulmet e armikut të kryera me raketa dhe dronë,”- tha Shtabi i Përgjithshëm. Forcat e Armatosura të Kuvajtit thanë se çdo shpërthim i dëgjuar ishte rezultat i përgjimeve të vazhdueshme dhe masave të forta mbrojtëse të vendosura për të mbrojtur qytetarët dhe objektivat strategjike.
Që nga fundi i shkurtit, Kuvajti është goditur rregullisht nga dronë dhe raketa, duke prekur aeroportin ndërkombëtar, bazat ajrore dhe infrastrukturën energjetike. Forcat ajrore lokale kanë rrëzuar disa dronë, ndërsa situata vazhdon të rritë tensionet dhe shqetësimet për sigurinë në Lindjen e Mesme./ZËRI