
MEKSIKË- Gazetari i kronikës së zezë, Alejandro Martínez është vrarë mbrëmjen e djeshme edhe pse ishte nën mbrojtjen e Policisë. Persona të armatosur, të cilët ende nuk janë identifikuar qëlluan Alejandro Martínez teksa ai po udhëtonte në një makinë me dy roje sigurie në shtetin qendror të Guanajuato. Burime policore i thanë agjencisë së lajmeve AFP se truprojat iu përgjigjën zjarrit, por nuk mundën ta shpëtonin gazetarin, i cili u godit nga një plumb në kokë.
Martínez, i cili njihej me nofkën "Djali Ranger i vetmuar", vdiq më pas në spital. Gazetari, i cili ishte rreth të 50-tave, drejtonte një media të njohur lajmesh në Facebook, e cila ka më shumë se 340,000 ndjekës.
Ai kishte qenë nën mbrojtjen e policisë pasi i mbijetoi një sulmi të ngjashëm në vitin 2022.
Në një intervistë 3 vjet më parë, Martínez tha se ndjente dhimbje dhe trishtim kur shihte dëmin e shkaktuar në rajon nga rritja e nivelit të dhunës.
Vrasja e tij është e fundit në një varg sulmesh vdekjeprurëse ndaj gazetarëve. Në fillim të këtij muaji, Federico Hans, një gazetar në qytetin e Caborca në shtetin verior Sonora, u qëllua dhe u plagos ndërsa hipi në makinën e tij. Dhe më 29 qershor, Victor Culebro u gjet i vdekur përgjatë një autostrade në shtetin jugor të Chiapas. Meksika është një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, ku mbi 150 punonjës të medias të vrarë që nga viti 1994./ZËRI