
GREQI – Duke nisur nga ky sezon turistik, Greqia do të zbatojë një sistem të ri për të rregulluar plazhet me peisazh dhe për të siguruar akses nga ana e publikut. Sipas ligjit të ri, së paku 50 përqind e zonës të plazhit do të duhet të mbetet e aksesueshme për publikun, që do të thotë pa shezlongë privatë.
Ministria e Ekonomisë Kombëtare dhe Financave e Greqisë ka prezantuar ligjin, për të rregulluar plazhet dhe pronën publike bregdetare në vendin helen. Ligji parashikon se sipërfaqja që mund të merret me qira nuk mund të kalojë 50 përqind të sipërfaqes totale të plazhit. Përqindja ulet më tej për zonat që janë shënuar me “Natura 2000”.
Sistemi i ri synon që ta zgjidhë çështjen e pushtimit nga privati të hapësirave publike. Kushtetuta e Greqisë e njeh vijën bregdetare të vendit si një të mirë publike, duke u siguruar qytetarëve akses të pakufizuar në kohë. Ligji i ri thekson aspekte të tilla si pastrimi i plazhit, aksesi në ambiente dhe prania e shpëtuesve në bregdet. Ligji i ri vendos kufizime për koncesionet e plazhit, duke kufizuar sipërfaqen e kontraktuar në maksimum 500 m2, që nënkupton jo më shumë se 50 për qind të sipërfaqes totale të plazhit. Si shembull, nëse plazhi është 10 mijë metra katrorë, së paku 5 mijë metra katrorë duhet të mbetet si hapësirë e lirë.
Çadrat dhe shezlonget mund të mbulojnë deri në 60 përqind të sipërfaqes të miratuar, e cila pritet që të reduktohet deri në 30 përqind. Koncesionarëve iu kërkohet që të përmbushin detyrime të ndryshme të tilla si pastrimi i rregullt i plazhit, infrastruktura sanitare e nevojshme, si dhe duhet të heqin pajisjet që kanë instaluar, në fund të sezonit turistik./ZËRi/