
HUNGARI- Presidentja hungareze Katalin Novak ka dhënë dorëheqjen. Novak njoftoi dorëheqjen e saj të shtunën pasi u vu nën presion për faljen e një burri të dënuar si bashkëpunëtor për mbulimin e një abuzimi seksual në një shtëpi fëmijësh.
"Kam bërë një gabim ... Sot është dita e fundit që ju drejtohem si presidente. Kam marrë një vendim për falje në prill të vitit të kaluar, duke besuar se i dënuari nuk ka abuzuar me cenueshmërinë e fëmijëve që ai kishte mbikëqyrur. Kam bërë një gabim pasi falja dhe mungesa e arsyetimit ishin të përshtatshme për të shkaktuar dyshime mbi tolerancën zero që zbatohet për pedofilinë,"- tha ajo në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror.
Sipas mediave të huaja, të paktën 1,000 njerëz protestuan në kryeqytetin e vendit dje, duke kërkuar dorëheqjen e saj. Tubimit iu bashkuan edhe partitë opozitare hungareze kishin kërkuar gjithashtu që ajo të largohej nga detyra. E gjitha ndodhi pasi Novak vendosi të falte rreth dy duzina njerëz në prill 2023, përpara një vizite me Papa Françeskun, mes tyre edhe zëvendësdrejtori i një shtëpie fëmijësh. Ky i fundit ishte dënuar pasi akuzohej se ndihmoi ish-drejtorin e shtëpisë të fshihte krimet e tij.
Endre K u dënua në vitin 2022 me tre vjet e katër muaj burg dhe u përjashtua për pesë vjet të tjera nga të gjitha aktivitetet dhe profesionet që kanë lidhje më të miturit. Por për shkak të faljes së Novakut, ai u la i lirë dhe lejohet, teorikisht, të kthehet në profesionin e tij.
“Është e vështirë të gjesh fjalët kur vendimi yt për të treguar mëshirë i privon viktimat nga drejtësia e duhur,”- shkroi një nga viktimat, Mert Pop, në Facebook, duke i bërë thirrje Novakut të jepte një shpjegim./ZËRI