
BRITANI E MADHE- Britania ka zbuluar rasin e parë të një lloji të ri të gripit të derrave te njeriu. Reuters shkruan se lloji i gripit A(H1N2) është i ngjashëm me një virus që qarkullon aktualisht te derrat. Personi në fjalë kishte përjetuar një sëmundje të lehtë dhe ishte shëruar plotësisht.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) tha se rasti u zbulua si pjesë e mbikëqyrjes rutinë kombëtare të gripit dhe burimi i infeksionit nuk dihej. Ndërkohë po hetohet nga autoritetet se nga ka ardhur infeksioni dhe rreziku i tij për shëndetin e njeriut. Çdo kontakt me personin e infektuar do t'i nënshtrohet një testi dhe do të këshillohet për çdo kujdes të mëtejshëm të nevojshëm nëse kanë simptoma ose rezultojnë pozitiv.
Pesëdhjetë raste njerëzore të këtij lloji janë raportuar globalisht që nga viti 2005. Rasti i ri është i pari që zbulohet në MB dhe nuk ka lidhje gjenetike me rastet e mëparshme. Në gusht u raportua një rast në SHBA.