GAZA - Ndërsa bisedimet vazhdojnë për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza, Hamasi ka pranuar të lirojë disa prej tyre, në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm, raporton BBC. Izraeli ende nuk ka rënë dakord për këtë.
Jo të gjitha pengjet janë në duart e Hamasit, pasi disa mbahen nga grupe të tjera të armatosura militante. Fakti që Hamasi mban pengje, është një faktor që ndërlikon sitruatën për ushtrinë izraelite, që dëshiron të ndërhyjë në enklavë.
Megjithatë, dje ministri i Ekonomisë së Izraelit, Nir Barkat, tha se pengjet dhe humbjet civile do të jenë dytësore, në raport me detyrën kryesore, atë të shkatërrimit të Hamasit.
"Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të sjellë pengjet tanë gjallë në Izrael, por për ne detyrë mbi detyra është shkatërrimi i organizatës terroriste të Hamasit", tha ai.
Ushtria izraelite thekson se shumica e pengjeve në Gaza janë gjallë. IDF ka publikuar detaje të reja, në lidhje me pengjet që mbahen në Gaza.
Më shumë se 20 prej pengjeve janë nën 18 vjeç, ndërsa 10-20 prej tyre janë mbi 60 vjeç. Është e paqartë se sa pengje mbahen në Gaza në total. Ushtria izraelite tha se numri i të zhdukurve ishte midis 100 dhe 200 personave, ndërsa një zëdhënës i Brigadaës Al-Qassam, tha në një deklaratë se numri ishte të paktën midis 200-250 personave.
Abu Obaidah pretendoi se Brigadat Al Qassam po mbajnë peng rreth 200 vetë, ndërsa pjesa tjetër mbahen nga organizata të tjera në Gaza. Ai gjithashtu shtoi se nuk mund të përcaktojë numrin e saktë të pengjeve, për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite.
Nga ana e saj, IDF theksoi se është ende duke kryer operacione për gjetjen e trupave pranë zonës së Rripit të Gazës. OKB-ja vlerëson se ndihma humanitare do ofrohet në Gaza, që nesër.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mbërriti sot në pjesën veriore të Gadishullit Sinai të Egjiptit, pranë pikës kufitare Rafah me Rripin e Gazës.
OKB-ja ka bërë thirrje që kalimi, i cili është kufiri i vetëm i Gazës që nuk kontrollohet nga Izraeli, të hapet për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare për më shumë se 2 milionë banorët e enklavës.
Dhjetra kamionë që transportonin ndihma po presin të kalojnë në Rripin e Gazës, por kufiri mbetet i mbyllur. Më herët sot, kreu i emergjencave të OKB-së, Martin Griffiths, tha se ndihma humanitare ndërkombëtare pritet të jetë në gjendje të hyjë në Rripin e Gazës të shtunën ose në një ditë të afërt.
Kujtojmë se Hamasi sulmoi fillimisht Izraelin, ndërsa përgjigja e Tel Avivit ishte e menjëhershme. Më shumë se 4800 persona vdiqën, nga sulmet e përgjakshme të të dyja palëve./Zëri.ai/