PHENIAN- Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un e cilësoi luftën e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit si prova më e fortë se vendimi i vendit të tij për të zhvilluar armë bërthamore ishte i drejtë. Në një fjalim përpara Asamblesë së Lartë Popullore, Kim akuzoi Washingtonin për “akte terrorizmi dhe agresionit të sponsorizuar nga shteti”.
“Situata aktuale e tregon qartë se Koreja e Veriut kishte të drejtë të refuzonte presionin me fjalë të ëmbla të SHBA-së për të hequr dorë nga arsenali bërthamor. Tashmë, statusi nuklear i vendit tonë është i pakthyeshëm”, tha Kim Jong Un.
Trump deklaroi më parë se Irani paraqiste një kërcënim “të menjëhershëm” për SHBA-në, dhe kjo në një kohë kur përpara disa muajsh ai vetë kishte pohuar se Amerika i kishte “shkatërruar” kapacitetet bërthamore të Republikës Islamike.
Kim Jong Un u shfaq i bindur se konflikti me Iranin dëshmon qartë sipas tij se vendet pa armë atomike janë të ekspozuara ndaj fuqisë ushtarake amerikane.
Deklarata e tij vjen në kohën kur Trump, sipas CNN, ka sinjalizuar së fundi gatishmërinë për të rinisur bisedimet me liderin koreano-verior duke rivendosur kështu një rrugë diplomatike e cila u mbyll në 2019./ZËRI