Bota

Lufta për mbijetesë në GAZA! Fëmijët e vegjël 'përleshen' me njëri-tjetrin për një pjatë supë!

Abu Sabeeh, 47 vjeç, u zhvendos nga shtëpia e tij në Beit Lahia në veri të Gazës.

k.m.
Lufta për mbijetesë në GAZA! Fëmijët e vegjël
Foto ilustruese

GAZA- Ndërsa ora shënon mesditë, Waheed Abu Sabeeh i thërret vajzës së tij 7-vjeçare, Bisan, i jep një tenxhere të vogël në dorë dhe e nxit që të nxitojë. Vetëm disa dhjetëra metra larg tendës së tyre, një kuzhinë ofron ndihmë, edhe pse japin vetëm një porcion ushqimi të gatuar.

Abu Sabeeh, 47 vjeç, u zhvendos nga shtëpia e tij në Beit Lahia në veri të Gazës. Ai tani jeton me gruan dhe pesë fëmijët e tij në një tendë të improvizuar jo më të madhe se katër metra katrorë, të ngritur pranë një shkolle të UNRWA-s të shndërruar në strehë. Ashtu si mijëra të tjerë të dëbuar nga shtëpitë e tyre nga lufta dhe varfëria, Abu Sabeeh ka pak për të ushqyer familjen e tij.

"Ne mbijetojmë me atë që na jep kuzhina e bamirësisë. Nëse nuk do të ishin ata, fëmijët e mi do të flinin të uritur,"- thotë ai me zë të lodhur. Çdo ditë, Bisan i bashkohet një radhe të gjatë me gra, fëmijë dhe burra, duke mbajtur enë bosh. Organizata bamirëse shërben porcione modeste me thjerrëza, fasule, bizele ose oriz, rreth 400 gramë për person, pa asgjë shtesë.

"Shkoj të marr ushqim për të ndihmuar familjen time të hajë, sepse nuk kemi asgjë në shtëpi,"- thotë ajo për mediat e huaja me një zë të butë e të pafajshëm.

Ushqimi që ajo sjell rrallë zgjat më shumë se një vakt modest. Në ditët kur ushqimi mbaron, familja kënaqet me copa zaatar ose humus, ndonjëherë pa bukë. Babai i saj drejtonte një dyqan të vogël mallrash për fëmijë në Beit Lahia, në veri të Gazës. Por sulmet ajrore izraelite ia shkatërruan dyqanin dhe shtëpinë gati një vit më parë, duke i lënë atij dhe familjes së tij vetëm një tendë dhe pasigurinë e përditshme të mbijetesës.

"Bisani pret me orë të tëra për të sjellë vetëm disa lugë ushqim. Ndonjëherë ajo kthehet duarbosh. Ndonjëherë ajo zihet me fëmijë të tjerë, të gjithë duke u shtyrë për ushqim."

Sipas babait të Bisanit, sjellja e saj ka ndryshuar.

“Tani është më e zhurmshme, më agresive. Ajo shtyhet. Bërtet. Ka mësuar se nëse nuk lufton, mund të mos hajë.”

Në Gaza, nënat presin me orë të tëra për një lugë me thjerrëza

Çdo ditë, 51-vjeçarja Faten al-Masri mban një tenxhere gatimi në dorë dhe i bashkohet një radhe të gjatë njerëzish që shpresojnë të marrin një porcion të vogël thjerrëzash ose orizi. Me origjinë nga Beit Hanoun në veri, al-Masri dhe familja e saj prej 13 anëtarësh kanë jetuar në një tendë për muaj të tërë, të zhvendosur nga lufta. Pa miell në dispozicion, ata hanë çfarëdo që u ofron kuzhina, shpesh pa bukë apo ndonjë shoqërues tjetër. Pavarësisht diabetit kronik dhe dhimbjes së qëndrimit në këmbë për periudha të gjata, al-Masri thotë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të durojë pritjen.

"Fëmijët e mi janë të zënë - njëri duke sjellë ujë, tjetri duke kërkuar diçka tjetër. Unë shkoj sepse duhet. Jam e sëmurë, por nuk mund ta lë familjen time të vuajë nga uria. Nuk kemi asgjë,"- tha ajo.

Fjalët e saj pasqyrojnë dëshpërimin e ndjerë në të gjithë Rripin e Gazës, ku uria, zhvendosja dhe kolapsi i shërbimeve bazë i kanë detyruar edhe të moshuarit dhe të dobëtit të presin në radhë për mbijetesë. Kuzhinat e bamirësisë në të gjithë Gazën tani po rrallohen pasi kanë presion. Disa ishin në gjendje të ushqenin qindra njerëz çdo ditë, të tjera kanë filluar të racionojnë ushqimin prej furnizimeve të kufizuara që marrin. Të tjera janë mbyllur krejtësisht, të paafta të përballojnë kërkesën në rritje dhe burimet që sa vijnë e pakësohen./ZËRI

Poll

MOS HUMB