
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu pakënaqësi të thellë me bombardimin e Ukrainës nga Rusia gjatë fundjavës, duke thënë se nuk ishte i kënaqur me homologun rus, Vladimir Putin. Madje shkoi aq larg, saqë e cilësoi si të "çmendur". Madje shtoi se nuk ishte fare i lumtur me zhvillimet më të fundit.
"Nuk e di çfarë nuk shkon me të. Çfarë dreqin i ka ndodhur? Ai po vret shumë njerëz. Nuk jam i lumtur për këtë,"- u tha Trump gazetarëve në aeroportin e Morristoën, New Jersey, ndërsa përgatitej të kthehej në Uashington. Deklaratën e vazhdoi edhe në rrjetin e tij social, Social Truth.
"Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur. Ai është çmendur plotësisht! Ai po vret shumë njerëz pa nevojë, dhe nuk po flas vetëm për ushtarë. Raketa dhe dronë po lëshohen në qytete në Ukrainë, pa asnjë arsye. Gjithmonë kam thënë se ai e do TË GJITHË Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, por nëse e bën, kjo do të çojë në rënien e Rusisë! Po kështu, Presidenti Zelenskyy nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në mënyrën që flet. Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme, nuk më pëlqen, dhe më mirë të ndalet. Kjo është një luftë që nuk do të kishte filluar kurrë nëse do të isha President. Kjo është lufta e Zelenskyy-t, Putinit dhe Bidenit, jo e "Trump", unë vetëm po ndihmoj në shuarjen e zjarreve të mëdha dhe të shëmtuara, që janë ndezur përmes Paaftësisë dhe Urrejtjes së Madhe."
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, komentoi kritikat që udhëheqësi amerikan Donald Trump i drejtoi Vladimir Putinit. Peskov theksoi rëndësinë e procesit të negociatave, duke falënderuar Trump për përpjekjet e tij, por shtoi se vendimet e presidentit Putin janë për të mirën e vendit.
"Sigurisht, fillimi i procesit të negociatave, për të cilin pala amerikane investoi shumë përpjekje, është një arritje shumë e rëndësishme dhe ne jemi vërtet mirënjohës ndaj amerikanëve dhe personalisht ndaj Presidentit Trump për ndihmën e tyre në organizimin dhe fillimin e këtij procesi negociatash. Në të njëjtën kohë, ky është një moment shumë i rëndësishëm që shoqërohet me mbingarkesë emocionale të të gjitha reagimeve të përfshira dhe emocionale. Ne monitorojmë me kujdes të gjitha reagimet. Megjithatë, Presidenti Putin merr ato vendime që janë të nevojshme për sigurinë e vendit tonë,"- tha Peskov./ZËRI