
GAZA- Sulmet kundër Hamasit vazhdojnë. Forcat izraelite publikuan një video që tregon dhjetëra të burgosur palestinezë në Rripin e Gazës.
Të burgosurit shihen të ulur në tokë, të zhveshur vetëm me të brendshme dhe duart e ngritura pas kokës. Sipas mediave izraelite, bëhet fjalë për burra të Hamasit, të cilët u dorëzuan duke dalë nga një tunel. Mirëpo, nuk mungojnë edhe reagimet në rrjetet sociale, të cilat pretendojnë se bëhet fjalë për qytetarë të thjeshtë.
Forcat e armatosura izraelite, të cilat kanë kryer një operacion tokësor kundër Hamasit në Rripin verior të Gazës që nga 27 tetori, kanë zgjeruar operacionet e tyre në të gjithë enklavën, ndërsa kanë vazhduar të lëshojnë bombardime masive ajrore. Hamasi sulmoi Izraelin në tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng 240, disa prej të cilëve u liruan gjatë një armëpushimi jetëshkurtër. Zyrtarët e Hamasit në Gaza thonë se Izraeli ka vrarë më shumë se 17,177 njerëz në fushatën e tij hakmarrëse, duke përfshirë rreth 7,000 fëmijë./ZËRI