BRITANI E MADHE- Lydia Crouch është kopja e nënës së saj të ndjerë, Caroline. Dhe ky është një një lehtësim për gjyshërit e saj, sidomos kur kanë kuptuar se e vogla ka marrë edhe zemrën e mirë dhe personalitetin e kujdesshëm të nënës së saj.
"Duket se ajo ka trashëguar mirësinë e brendshme të Caroline dhe kjo është e gjitha për të cilën më intereson,"- thotë gjyshi i saj, inxhinieri në pension David Crouch, ndërsa shton: Asgjë nuk do ta lehtësojë kurrë dhimbjen e vdekjes së vajzës sime, por kam shpresa të mëdha për Lydian. Ajo po na mbështet në një të ardhme të zymtë dhe të zbrazët.
Lydia mbushi së fundmi pesë vjeç – ajo e festoi këtë moment të vogël historik me një festë në pishinë për të gjithë shokët e saj të klasës – dhe me karakterin e saj të gëzuar. Pak më shumë se katër vjet më parë, më 11 maj 2021, babai i saj, piloti grek i helikopterit Babis Anagnostopoulos, e mbyti gruan e tij - nënën e Lydias - ndërsa ajo flinte. Ngjarja tronditi botën. Anagnostopoulos, 37 vjeç, i cili tani po vuan dënimin me burg përjetë nuk e ka parë më kurrë të bijën.

Sot, Davidi, 82 vjeç, i lindur në Britani, i cili jeton në ishullin grek të Alonisos, ku ai dhe gruaja e tij filipinase, Susan, 60 vjeç, rritën Caroline - vetëm 19 vjeç hedh dritë të re mbi motivin e mundshëm të vrasjes së vajzës së tij, të cilën Anagnostopoulos gjithmonë ia ka atribuar një momenti që ka humbur kontrollin. Në vend të kësaj, Davidi beson se vrasësi i vajzës së tij ishte i përfshirë me një bandë trafikantësh të pamëshirshëm droge. Prova e tij është një letër që ai thotë se Anagnostopoulos i shkroi Susanës, pra të shoqes së tij, duke i kërkuar falje dhe duke i shpjeguar se si u përfshi me grupin e drogës.
Lydia ishte ende një foshnjë kur David dhe Susana morën kujdestarinë për mbesën e tyre. David ka dhënë gjithmonë intervista dhe ka folur për të bijën, ndërsa Susan ka zgjedhur heshtjen. Jeta e saj tani i dedikohet kujdesit për Lydia-n. Ajo gjeti ngushëllim pranë mbesës së saj, me të cilën fle çdo natë në shtratin që dikur ka pasur e bija. Por e vogla nuk di shumë. Asaj i është thënë se ka lindur në Greqi dhe vetëm se nëna e saj ka vdekur.
"Ajo nuk e ka idenë se çfarë do të thotë kjo dhe e pranon pa koment,"- thotë Davidi.
Disa muaj më parë, klasa e saj festoi Kombet e Bashkuara, duke i ftuar nxënësit të vinin në shkollë me veshjet tradicionale të vendit të tyre.
"As unë dhe as Susan nuk kishim idenë se si mund të ishte veshja tradicionale greke për një vajzë, por kishim parë shumë fotografi të perëndeshave greke. Ajo shkon në shkollë me Susan çdo ditë, përveç nëse bie shi, kur Susan e çon me makinë. Ajo nuk shpreh kuriozitet pse duket ndryshe nga fëmijët e tjerë në qytet."
Por gjyshërit kanë në kokë një shqetësim, sesi do t'i japin lajmin kur të rritet. Në një moment në të ardhmen, asaj do t'i duhet t'i thuhet e vërteta për vdekjen e nënës së saj dhe rolin e babait të saj.
"Ngushëllimi im i vetëm është se ajo nuk do ta takojë kurrë të atin. Do të sigurohem që ajo të mos e takojë kurrë. Ai do të duhet të vuajë të paktën 24 vjet të tjera në burg përpara se të mund të merret në konsideratë kërkesa për lirim me kusht, por shpresoj se do të kalbet atje.”
Më pas, Davidi rikthehet sërish tek letra që i ka dërguar Anagnostopoulos nga burgu.
"Ishte letra e një frikacaku, e një burri të dobët që kërkonte falje; e dikujt që kishte guximin të sulmonte vajzën time vetëm kur ajo flinte. Në letër, ai u përpoq të kërkonte falje për vrasjen e vajzës sonë dhe gjithashtu shpjegoi se si ishte përfshirë në një bandë që trafikonte drogë. Anagnostopoulos ishte një pilot helikopteri, puna kryesore e të cilit ishte transportimi i njerëzve rreth ishujve grekë - por ai u josh nga oferta e parave të mëdha për të dërguar një ngarkesë droge. Në fillim të vitit 2021, ai u prezantua me anëtarë të një bande trafikimi droge nga pronari i një restoranti vendas. Ata i thanë se kishin nevojë që ai të bënte një punë për ta, për të cilën do të paguhej shumë mirë dhe Anagnostopoulos nuk e kuptoi se me këtë lloj marrëveshjeje, sapo të jesh pjesë e saj, je pjesë e saj për gjithë jetën. Kur arriti në shtëpi atë natë, ai menjëherë nisi t'i mburrej Caroline-s se si do e bënte të pasur. Caroline, sigurisht, u çmend. Ajo nuk donte të kishte të bënte fare me drogën apo me paratë që mund të fitoheshin duke i trafikuar ata. Kështu ajo i tha se duhej të kontaktonte njerëzit e grupit dhe t'u thoshte se gruaja e tij ia kishte ndaluar që të merrej me ta. Madje i shtoi se nëse nuk do ta bënte këtë gjë, ajo do të merrte vajzën dhe do të shkonte të jetonte me motrën e saj në Filipine. Ai kontaktoi menjëherë bandën dhe ua tha këtë gjë. Ata i shpjeguan se në biznesin e tyre, kur je brenda, je brenda përgjithmonë. Dhe i dhanë urdhër që ta "heshtte" gruan e tij. Nëse nuk do ta bënte, banda do të vriste të gjithë familjen, përfshirë atë dhe foshnjën Lydia. Kështu ai përgatiti planin e tij se ngjarja ishte kryer nga grabitës,"-tregoi i ati i viktimës.
Pronari i restorantit, i cili dyshohet se e kishte prezantuar Anagnostopoulosin me bandën, u gjet i vdekur nga një plagë me armë zjarri, me një pistoletë pranë trupit të tij, pothuajse në të njëjtën kohë. Policia tha se ishte vetëvrasje - por Davidi gjithmonë ka besuar se është vrarë.
Edhe pse ish-vjehrri i tij flet për një mesazh, Anagnostopoulos e ka mohuar të ketë shkruar letrën ose ta ketë dërguar atë tek David. Edhe prindërit e tij janë betuar gjithashtu se nuk kanë pasur asnjë rol në dorëzimin e kësaj letre duke shtuar se Davidi nga pikëllimi e ka sajuar.
Megjithatë, ai qëndron me vendosmëri për të vërtetën. Kujtimet me të cilat ai jeton, përziejnë lumturinë e madhe për mbesën me traumën për humbjen e një fëmije. Do të jetë gjithmonë një përballje e pakëndshme. Ai ngushëllohet nga shërbimi përkujtimor, që mbahet çdo vit në përvjetorin e vdekjes së Caroline në varrin e saj, i zbukuruar me lule të bardha./ZËRI
Marrë nga Dailymail