
IZRAEL- Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbërritur këtë mëngjes në aerorportin Ben Gurion në Izrael, ku do të takohet gjatë ditës me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu.
Qëllimi i vizitës është që të tregojë solidaritetin e Francës me Izraelin, të ndihmojë në lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi dhe të parandalojë çdo përshkallëzim të konfliktit aktual, thanë këshilltarët e tij për Reuters.
Macron do të takohet gjithashtu me presidentin izraelit Isaac Herzog dhe liderët e qendrës Benny Gantz dhe Yair Lapid nga opozita gjatë vizitës së tij. Vizita e Macron bëhet dy ditë pasi në kryeqytetin francez, Paris, u mbajtën protesta në mbështetje të Palestinës.
"Gaza, Parisi është me ju!", kanë qënë thirrjet e mijëra qytetarëve që kishin dalë në shesh, duke valëvitur flamujt palestinezë. Të dielën autoritetet në Francë lejuan demonstratën e parë pro-palestineze.
Rreth 15,000 njerëz dolën në Place de la Republique, sipas shifrave të policisë franceze, për të shprehur solidaritetin me palestinezët dhe për të bërë thirrje për një armëpushim pasi numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Gaza u rrit në më shumë se 5000.
Policia tha se protesta ishte e autorizuar, ndryshe nga të tjerat, sepse deklarata e organizatorëve dënonte sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit, ku u vranë 1400 njerëz.