
SHBA- Prokurorët amerikanë kanë akuzuar një anëtar të dyshuar të mafies japoneze për trafikim të materialeve bërthamore. Sipas mediave të huaja, Takeshi Ebisawa, 60 vjeç, është përpjekur të shesë uranium dhe plutonium që ai besonte se do të transferoheshin në Iran për të bërë një bombë bërthamore.
Nëse shpallet fajtor, japonezi përballet me burgim të përjetshëm. Autoritetet amerikane thonë se Ebisawa, i cili është në burg në Brooklyn, është pjesë e një organizatë kriminale japoneze, e njohur si Yakuza. Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha se Ebisawa dhe bashkëpunëtorët e tij paraqitën mostra të materialit bërthamor në Tajlandë tek një agjent i fshehtë i Agjencisë së SHBA për Zbatimin e Drogës (DEA).
Agjenti u paraqit si një tregtar droge dhe armësh, duke pretenduar se kishte lidhje me një gjeneral iranian. Laboratori amerikan konfirmoi se materiali përmban uranium dhe plutonium.
Prokurorët gjithashtu pretendojnë se Ebisawa kërkoi të merrte sasi të mëdha armësh në emër të një grupi kryengritës (të cilin nuk e përmendi me emër) në Myanmar.
Në shkurt 2020, Ebisawa dyshohet se kontaktoi një agjent të DEA në lidhje me shitjen e materialit bërthamor. Në shtator të të njëjtit vit, Ebisawa i dërgoi email një agjenti të fshehtë të DEA dhe ofroi të shiste 50 ton uranium dhe torium për 6.85 milionë dollarë./ZËRI