
MAQEDONIA E VERIUT-Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, sot në një prononcim në rrjetet sociale ka treguar se Bujar Osmani do të jetë kandidati i partisë së tij në zgjedhjet presidenciale.
Gjithashtu gjatë propozimit Ahmeti u paraqit me sloganin “Jo Rusisë, po Evropës”,ku ka ftuar qytetarët që ta përkrahin Osmanin, aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, për të udhëhequr me presidencën maqedonase. Në fjalën e tij, Ahmeti ka deklaruar se Osmani e ka dëshmuar veten si politikan, derisa konsideroi se tani ai është gati për betejën e ardhshme.
"Bujari ka dëshmuar vetën në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhënjyer në betejën kundër Rusisë si dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim Presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter, për të realizuar vizionin tonë për President konsensual”, -tha Ahmeti.
Osmani është kandidati i dytë shqiptar për President të Maqedonisë së Veriut, pasi ditë më parë, opozita shqiptare atje (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët), propozuan kryetarin e Gostivarit, Arben Taravarin, që të jetë kandidat i tyre për president./ZËRI