
SHBA- Manjati i medias, Rupert Murdoch është martuar për herë të pestë në një ceremoni private në vreshtin e tij në Kaliforni. Murdoch, 93 vjeç, u martua të shtunën me gruan e tij të re Elena Zhukova, 67 vjeç, një biologe ruse në pension. Sipas BBC, ai nisi të takohej me Zhukovan menjëherë pasi i dha fund papritur fejesës së tij me Ann Lesley Smith nw prill tw vitit tw shkuar.
Murdoch me origjinë australiane, i cili ka gjashtë fëmijë, është kryetar emeritus i "News Corporation", i cili zotëron Fox News, Wall Street Journal, Sun dhe Times.

Murdoch dhe Zhukova thuhet se janë takuar në një festë të organizuar nga një prej ish-grave të tij, Wendi Deng. Ish-bashkëshortet e tjera të tij janë stjuardesa australiane Patricia Booker; gazetarja me origjinë skoceze Anna Mann dhe modelja dhe aktorja amerikane, Jerry Hall. Para Murdoch, Zhukova ishte e martuar më parë me miliarderin rus të naftës Alexander Zhukov, ndërsa vajza e tyre Dasha ishte e martuar me oligarkun rus Roman Abramovich deri në vitin 2017.
Rupert Murdoch e filloi karrierën e tij në Australi në vitet 1950 - duke blerë gazetat "News of the World" dhe "The Sun" në Mbretërinë e Bashkuar në 1969. Më vonë, ai bleu një numër mediash amerikane, duke përfshirë New York Post dhe Wall Street Journal. Në vitin 1996, ai lançoi Fox News - tani kanali televiziv më i shikuar i lajmeve në SHBA./ZËRI