
SHKUP- Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në mbledhjen e zhvilluar sot ka vendosur që si kryeministër teknik të propozojë Talat Xhaferin. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani ka thënë se në mbledhje është vendosur që kryeministër teknik i qeverisë të jetë Xhaferi. “BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër teknik të qeverisë. Kjo qeveri do të jetë në fuqi nga fillimi i janarit deri në mbjatjen e zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Osmani.
Në lidhje me koalicionet e mundshme parazgjedhore të BDI-së, Osmani deklaroi se i takon kryetarit të partisë Ali Ahmetit që të vijojë bisedimet për një gjë të tillë. Ai tha se i takon Ahmetit që të vendosë se çfarë koalicioni partish do të shkojnë në zgjedhje.
“Ne i analizuam të gjitha opsionet dhe variantet e mundshme për pjesëmarrje, si parti e vetme dhe si pjesë e frontit Evropian dhe u autorizua kryetari Ali Ahmeti t’i vazhdojë bisedimet dhe t’i propozojë partisë një vendim, i cili do të aprovohet në organet e partisë”, shtoi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së. Në këtë mbledhje është diskutuar edhe në lidhje me zgjedhjet e brendshme partiake. Gjithashtu është diskutuar edhe për zgjedhjet presidenciale.
Profil/ Talat Xhaferi, oficeri i ushtrisë maqedonase, që iu bashkua UÇK-së
Talat Xhaferi me profesion është ushtarak. Ai ka qenë fillimisht ushtarak i Armatës së Jugosllavisë dhe më pas Armatës së Maqedonisë së Veriut. Ai së fundmi ka mbajtur edhe postin e kryetarit të parlamentit. Xhaferi, lindi më 15 prill 1962 në fshatin Forinë afër Gostivarit, SR Maqedoni, RSF Jugosllavi. Ai ndoqi shkollën fillore në fshatin e afërt Çegranin dhe vazhdoi shkollimin e mesëm në Shkollën e Lartë Ushtarake të Beogradit. Ai studioi në Akademinë Ushtarake të Tokës Këmbësorike të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) në Beograd dhe Sarajevë dhe u specializua në detyra komanduese dhe të stafit në Akademinë Ushtarake "Gjenerali Mihailo Apostolski" në Shkup. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ishte një oficer i APJ-së dhe prej vitit 1992 deri në 2001 ishte oficer i Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM).
Gjatë kryengritjes së vitit 2001, në të cilën shqiptarët sulmuan forcat e sigurisë, Xhaferi ishte në fillim një oficer i lartë në ARM, duke komanduar trupa në kazermat e Tetovës. Më 28 prill, ditën sic njihet masakra e Vicës, ai ishte në detyrë si komandant në kazermë. Disa ditë më vonë ai u largua dhe u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), dhe u bë komandanti i saj i Brigadës 116 me nofkën e "komandant Forina", për shkak të vendlindjes së tij. Ai u amnistua më vonë, pas marrëveshjes së Ohrit.
U nominua për kryeministër teknik, Talat Xhaferi: Do shërbej me përkushtim
I nominuari për kryeministër teknik në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një deklaratë për mediat, tha se falënderon të gjithë ata që e kanë nominuar për këtë post. Xhaferi theksoi se do ta bëjë me përksuhtim këtë detyrë, siç ka kryer me përkushtim detyrat më herët.
“Me rastin e nominimit nga organet partiake për bartës të funksionit të ardhshëm, si kryetar i qeverisë teknike, nuk do mend që për mua do të thotë respekt i veçantë dhe besim i veçantë nga organet partiake për këtë nominim. Besoj se me përgjegjësinë më të madhe do të përgjigjem ndaj detyrës së re e cila më është besuar dhe shpresoj që do të realizohen pritshmëritë e qytetarëve për kryerjen e këtij funksioni, me përkushtimin më të madh të mundshëm. Unë me përkushtimin më të madh kam bërë dhe detyrat e mëhershme”, tha Xhaferi. Talat Xhaferi u propozua si kryeministër i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, pas një mbledhjeje të BDI-së, parti e drejtuar nga Ali Ahmeti. /ZËRI/