
KATAR- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Doha të martën, në fazën tjetër të një përpjekjeje diplomatike për të siguruar një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve, ndërsa zonat kryesore të mosmarrëveshjeve mbetën midis Izraelit dhe Hamasit, shkruan Reuters.
Blinken u takua më herët gjatë ditës në Kajro me Presidentin e Egjiptit Abdel-Fattah El-Sisi, vendi i të cilit ka ndihmuar në ndërmjetësimin e bisedimeve në Gaza prej muajsh së bashku me SHBA-në dhe Katarin. Sisi tha pas takimit të tyre se ishte koha për t'i dhënë fund luftës 10-mujore në Gaza dhe paralajmëroi për zgjerimin e konfliktit në rajon.
Vizita e Blinken në rajon përfshinte gjithashtu takime në Izrael të hënën. Ai tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte pranuar një ‘propozim urë’ të SHBA-së, që synonte ngushtimin e boshllëqeve midis dy palëve pasi bisedimet javën e kaluar u ndërprenë pa ndonjë përparim dhe i kërkoi Hamasit ta pranonte gjithashtu.
Blinken e ka quajtur shtytjen e fundit për një marrëveshje "ndoshta më të mirën, ndoshta mundësinë e fundit" dhe tha se takimi i tij me Netanyahun ishte konstruktiv. Ai tha gjithashtu se ishte detyrë e Hamasit të pranonte propozimin urë. Zyrtarët nga SHBA-ja, Hamasi, Izraeli, Egjipti apo Katari nuk kanë theksuar se çfarë është në propozim ose si ndryshon nga versionet e mëparshme.
Hamasi hodhi poshtë komentet e SHBA-së se po tërhiqej nga një marrëveshje, duke thënë se ndërmjetësit egjiptianë dhe katar e dinin se kishin trajtuar pozitivisht negociatat dhe se ishte Netanyahu ai që kishte penguar një marrëveshje me kërkesa të reja./ZËRI