
ATHINË – Të tjera detaje mësohen në lidhje me vrasjen në Athinë të kryemafiozit, Vangelis Zabunis. Mediat greke kanë marrë madje edhe dëshminë e një shqiptari, që është trafikant droge në Athinë. Shqiptari, që kërkon të identifikohet thjesht me emrin e tij Agim, deklaroi se Zabunis ishte një njeri shumë i rrezikshëm. "Ishte një njeri shumë i rrezikshëm," tha ai për reputacionin e Zambounis në qarqet kriminale. “Nëse doni të punoni në Athinë, shefi juaj do të paguajë Zambounis, sepse ai ka vrarë bosët e tjerë”, shtoi ai.
Reputacioni i Zambounis për përfshirjen në konfliktet mafioze është i njohur. Ai është i dyshuar për vrasjen e qershorit të kaluar të një rivali të madh mafioz, Vassilis Roubetis dhe kunatit të tij, të cilët u vranë në një automjet nga dy burra, që qëlluan me pushkë AK-47. Policia beson se vrasja e Roubetis ishte në përgjigje të vrasjes së prillit 2022 të një bosi tjetër të shquar mafioz grek, Yiannis Skaftouros, i vrarë jashtë shtëpisë së tij të pushimit në Skourta, Greqi nga dy atentatorë që qëlluan me pushkë AK-47.
Vetë Zambounis i kishte mbijetuar më parë një atentati të vitit 2018, kur pushka e tipit AK-47 e agresorit u bllokua. Mediat greke dhe shqiptare kanë raportuar se një urdhër për vrasjen e Zambounis qarkullonte prej disa kohësh në qarqet kriminale. Por në botën e krimit të organizuar grek, ekziston një teori e dytë që po shqyrtohet nga policia dhe kolegët e Zambounis.
"Ukrainasit dhe grupet ruse të krimit të organizuar të zhvendosur nga pushtimi i Ukrainës kanë bërë një shtytje të fortë në tregun e zi grek për kontrabandën e duhanit dhe benzinës, të cilat janë zonat kryesore mafioze të Ballkanit", tha një analist kriminal aktualisht në kontratë me Bashkimin Evropian dhe i ndaluar që të flasë publikisht.
“Greqia ka një habitat të rrënjosur thellë të krimit të organizuar që merr më pak vëmendje se grupet shqiptare, serbe dhe malazeze, të cilët fokusohen shumë në tregtinë ndërkombëtare të kokainës. Por kontrabanda e duhanit dhe karburantit mbetet një burim i qëndrueshëm i të ardhurave për grupet me më pak profil dhe dhunë. Disa beteja të brendshme janë të pashmangshme, por duket sikur ardhja e konkurrentëve të rinj nga Ukraina dhe Rusia e kanë destabilizuar situatën”, tha eksperti që dëshiron të mbetet anonim.
Një zyrtar i Policisë Helenike, agjencia kombëtare e zbatimit të ligjit në Greqi, nuk pranoi të komentojë mbi të dhënat, por konfirmoi se hakmarrja ose mosmarrëveshjet territoriale me grupe të tjera kriminale dyshohen si motive dhe po hetohet edhe fakti se vrasësit mund të jenë shqiptarë. Mediat shqiptare raportojnë se autoritetet greke dhe shqiptare thonë se Zambounis u vra nga vrasës me pagesë shqiptar.
Grupet shqiptare të krimit të organizuar veprojnë ndërkombëtarisht, por konsiderohen se kanë një prani të fortë në Itali, ku u vodh makina që u përdor në krim dhe në Greqinë fqinje, vendi i një komuniteti të madh shqiptar. “Agimi” nuk e hodhi poshtë mundësinë e përfshirjes së bashkëpatriotëve të tij. “Shqiptarët janë më të ashpër se grekët, kështu që nëse doni të vrisni apo rrihni dikë, merrni një shqiptar”, tha ai.
Vangelis Zambunis u vra gjatë një atentati në mesnatë, nga persona të paidentifikuar. Ai konsiderohej si një nga bosët e mafies greke. Partnerja e tij ishte vrarë më 2018./ZËRI/