
SPANJË-Përfaqësues të PSOE, partisë socialiste në Spanjë pjesë e së cilës është edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, dhe ata të PP-së, pritet që të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, gjatë seancës që do të mbahet të martën, raporton agjencia e lajmeve “Europe Press”. Pesë anëtarët socialistë dhe tre nga PP-ja, do ta refuzojnë anëtarësimin e Kosovës, pavarësinë e së cilës nuk e njohin, sipas burimit të këtij mediumi, për të cilin thonë se është nga partia e Sanchez.
“Do të votojmë kundër sepse vazhdojmë të kemi kriteret e njëjta.” – ka thënë ky burim, duke vazhduar se kjo nuk është koha për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pasi që mund të nxis “hapësira konfrontimi”.
Njëjtë, Spanja do të votojë kundër anëatësimit të Kosovës edhe në Komitetin e Ministrave. Burime diplomatike i kanë thënë mediumit se “Qeveria vazhdon të mbajë pozicionin e mosnjohjes”, duke implikuar që kur të vijë koha, Ministri i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares do ta refuzojë anëtarësimin e Kosovës. Ndërkohë, debati për Kosovën pritet të mbahet të martën, kjo pas rekomandimit të raportueses Dora Bakojanis për anëtarësimin e Kosovës.
Nga ana tjetër Serbia ka formuar grupin punues që është thënë se do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, duke i hapur rrugën hapave të ardhshëm drejt anëtarësimit në këtë organizatë. Dy vota kundër ishin të deputetëve të Serbisë, kurse nga një votë kundër ishte nga deputetët e Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Pas miratimit në Komision, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që pritet të mbahet në këtë muaj (prill).
/ZËRI