
EKUADOR- Dritan Gjika, 47-vjeçari shqiptar, u arrestua më 26 maj 2025, në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe. Autoritetet ekuadoriane e konsiderojnë atë një nga kokat kryesore të një grupi kriminal që vepronte nga Ekuadori dhe dërgonte drogë në disa vende europiane. Kapja e tij u bë e mundur falë një operacioni të përbashkët midis Interpolit në Ekuador dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe. I shënjuar me dy njoftime të kuqe aktive për krime që lidhen me trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar, Gjika ishte një nga të arratisurit më të kërkuar nga autoritetet ekuadoriane.
Sipas të dhënave të drejtorisë së emigracionit, Gjika hyri për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 si vizitor. Por koha kaloi dhe ai nuk doli kurrë nga vendi. Përkundrazi nisi që të punonte! Ai e kishte në mendjen e tij planin sesi do të themelonte rrjetin më të fuqishëm të trafikut të kokainës. Dhe për këtë krijoi disa kompani të regjistruara në emrin e tij ose të partnerëve ekuadorianë. Veçse bëri edhe gabime. Të gjitha bizneset i regjistroi në një ditë të vetme në vitin 2021. Këto biznese, të cilat përfshinin aktivitete të ndryshme si marketingu i mishit dhe fruta perimeve, dyshohet se shërbyen si fasada për pastrim parash.
Një nga aleatët e tij kryesorë në Ekuador ishte Rubén Cherres, një biznesmen nga Guayaquil i lidhur me qarqe të larta politike - ai ishte një mik i kunatit të ish-Presidentit Guillermo Lasso, por u vra në mars të vitit 2023. Dokumentet e gjykatës dhe të dhënat e biznesit konfirmojnë se Gjika dhe Cherres krijuan njëkohësisht një duzinë kompanish, të cilat ngritën alarmin në njësitë e specializuara të Prokurorisë. Më 6 shkurt 2024, u krye një operacion dykombësh midis Ekuadorit dhe Spanjës, i cili përfshinte më shumë se 50 kontrolle të atyre që dyshohet se ishin baza të grupit. Operacioni u kodua "Pampa"!
Edhe pse u arrestuan më shumë se 30 persona, Gjika arriti të arratisej dhe më vonë u mësua se ai ishte larguar nga vendi në janar 2023 për në Turqi. Nga atje kishte përfunduar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Operacioni zbuloi madhësinë e strukturës kriminale që shqiptari i njohur edhe me nofkën "Tony" drejtonte. Dhe nuk kishte të bënte vetëm me trafikun e drogës, por me një rrjet që kishte depërtuar në sektorët e biznesit dhe kishte lidhje strategjike me njerëz të rëndësishëm në vend, madje edhe brenda terminaleve të portit.
Ndërkohë, në Shqipëri , vendin e tij të lindjes, nuk ka të dhëna penale për të. Dosja e tij është krejtësisht e pastër. Kjo e dhënë është interpretuar nga ekspertët e krimit të organizuar si një shenjë se shumë nga bandat kriminale ishin të vendosura jashtë vendit. Por disa burime nga Policia e lidhin Gjikën me klanin shqiptar të njohur si "Kompania Bello", një nga më aktivët në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë. Një tjetër anëtar i atij grupi, Dritan Rexhepi, ishte ndaluar më parë në Ekuador dhe u arratis për në Turqi, atje ku u kap dhe u ekstradua në Shqipëri.
JETA LUKSOZE E DRITAN GJIKËS:
Më 6 shkurt 2024, policia bastisi një shtëpi luksoze në kompleksin kompleks Puerto Azul, një zonë private banimi ekskluzive e vendosur në rrugën për në Samborondón. Sipas raportit të Policisë, brenda u gjet një grua, e cila u identifikua si partnerja e shqiptarit. Brenda, oficerët gjetën 3,200 dollarë amerikanë në para të gatshme, kartëmonedha me prerje të ndryshme, si dhe tre orë dore Rolex dhe një Tissot.
Jashtë shtëpisë u gjetën dy makina luksoze: një BMW X6 e bardhë me vlerë 145,990 dollarë, dhe një Porsche Cayenne e zezë, me vlerë 149,990 dollarë, e cila kishte gjithashtu një sistem blindimi të nivelit 3 që kushton 30,200 dollarë. Porsche ishte e regjistruar në emër të Agricomtrade, kompania e bananeve të Gjikës. Në shtëpi gjetën dhe një kontratë shitje për mjetin, nga Gjika tek kompania, por mjeti ende përdorej nga shqiptari. Sipas Prokurorisë, këto lloj kontratash ishin pikërisht një nga metodat më të përdorura për të pastruar paratë.
Përveç kësaj, Prokuroria zbuloi një tjetër makinë luksoze që lidhej me Gjikën: një Chevrolet Corvette e kuqe, e blerë në vitin 2022 për 129,300 dollarë, e blerë nga kompania Cresmark, një tjetër firmë e shqiptarit. Blerja e të tre automjeteve, përveç një motoçiklete BMë me vlerë 15,000 dollarë amerikanë, u bë me para në dorë. Zyra e Prokurorit arriti të zbulojë se, për shembull, për blerjen e Porsche-s, Gjika bëri një transfertë prej 157,000 dollarësh amerikanë në vitin 2021. Ndërsa për pagesën e Corvette, koncesionari mori 31 depozita midis janarit dhe tetorit 2022. Një pjesë e madhe e depozitave ishin bërë "cash" nga punonjësit e kompanisë "Cresmark".
Hetimet arritën të gjejnë edhe një jaht të blerë nga shqiptari. Kontrata për blerjen e mjetit lundrues u nënshkrua nga partnerja e Gjikës në tetor 2020, për një vlerë prej 50,000 dollarësh amerikanë. Bëhet fjalë për një jaht Sea Ray Sundancer 310, i quajtur "Recreo" që në shqip do të thotë "pushim/qejf".
Ndaj edhe arrestimi i Gjikës në Abu Dhabi është cilësuar si një goditje e madhe për organizatat ndërkombëtare të trafikut të drogës që veprojnë nga Ekuadori. Autoritetet kanë paralajmëruar se rasti Pampa është ende nën hetim, me pista të reja. Tashmë do të hetohen lidhjet e mundshme institucionale që i lejuan Gjikës të "pushtonte" Ekuadorin për më shumë se një dekadë./ZËRI