Bota

Mijëra studentë “pushtojnë” rrugët e Beogradit, Vuçiç iu shmanget protestave duke u “marrë” me Kurtin

Vuçiç nuk iu drejtohet popullit të tij, por vazhdon të “merret” me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

I.F
Mijëra studentë “pushtojnë” rrugët e Beogradit,
Protesta në Serbi

BEOGRAD- Mijëra studentë dhe qytetarë kanë mbushur rrugët e Beogradit në Serbi duke protestuar kundër qeverisë së Aleksandër Vuçiç. Protestat kanë shpërthyer në vend pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona në një stacion treni pasi u shemb tavani i stacionit. Por, pavarësisht rrëmujës në vend, Vuçiç nuk iu drejtohet popullit të tij, por vazhdon të “merret” me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Presidenti i Serbisë ka akuzuar Albin Kurti për mos certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Sipas tij, kryeministri i Kosovës po përpiqet të eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë, Lista Serbe dhe se me ndihmën e aleatëve të tij dëshiron të shfarosë popullin serb.

“Kur kësaj i shtohen edhe sulmet e ashpra të grupeve të ndryshme të presionit brenda vendit, të gjithëve e kanë të qartë se qëllimi përfundimtar është kolapsi i Serbisë. Ne nuk do t'ia japim Serbinë askujt dhe Serbia nuk do të ndalet! Nuk ka dorëzim,” tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e shkurtit për shkak të qëndrimeve kundër shtetit të Kosovës. Disa prej arsyeve janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe Zlatan Elek gjatë prezantimit të listës së kandidatëve. Por, situata nuk është aspak e qetë në Serbi, protestuesit kanë dorëzuar 1 mijë letra identike në adresë të Prokurores së Lartë Publike, Zagorka Dolovac, duke i kërkuar që të bëjë punën e saj për të vendosur drejtësi për tragjedinë në Novi Sad ku humbën jetën 15 persona.

“Studentët presin që ju të luftoni për ligj dhe drejtësi, pa keqpërdorime politike apo korrupsion”, lexohet në letrat e dorëzuara. Prokurorja ka kërkuar një bashkëbisedim me organizatorët e protestës, por nuk është pranuar nga studentët. Ndër kërkesat e tyre është dorëheqja e presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së kryeministrit Millosh Vuçeviç, të cilët akuzohen si përgjegjës për neglizhencë dhe korrupsion me riparimin e strehës që u shemb në stacionin e trenave në Novi Sad më 1 nëntor.

Organizatorët kanë thënë për mediat se po përballen me kërcënime, teksa premtuan se asgjë nuk do t’i ndalojë, as moti i keq më dëborë që ishte sot. Presidenti Vuçiç paralajmëroi me përdorimin e njësive speciale ushtarake “Cobra” për shpërndarjen e protestuesve. Të dielën studentët dhe fermerë në zhvilluan protestën më të madhe ndonjëherë në historinë e Serbisë, duke mbledhur mbi 100 mijë persona. Mijëra studentë protestuan sërish në Beograd 5 ditë pas brumbullimit masiv në qendër të qytetit ku thuajse 30 mijë hodhën parulla kundër qeverisë së Aleksandër Vuçiç.

Protestuesit synojnë që të ushtrojnë presion tek institucionet për mbajtjen e përgjegjësive, ndërsa mesazhet e dhëna në protestën masvie të disa ditëve më parë shkonin për dorëqheqjen e Aleksandër Vuçiç dhe mazhorancës së tij qeverisëse, nga pushteti. Presidenti i Serbisë ka larguar përgjegjësitë nga vetja dhe është shprehur se institucionet duhet të gjejnë dhe të mbajnë përgjegjësitë përkatëse, ndërsa protestat i ka cilësuar si të nxitura politikisht nga opozita. /ZËRI

Poll

MOS HUMB