
RUSI- Në Shën Petersburg, njerëz të veshur me të zeza heqin menjëherë objektet përkujtimore të vendosura në nderim të Alexei Navalnyt. Por lulet zëvendësohen menjëherë nga mbështetësit e Navalnyt, të cilët kanë dalë këtë javë në rrugë, edhe pse ka pasur një valë të gjerë arrestimesh.
Mbi 400 vetë janë arrestuar në 32 qytete ruse që nga vdekja e ish-aktivistit të opozitës, kundërshtari më i frikshëm i presidentit Vladimir Putin: Pavarësisht represionit rusët vazhdojnë të mblidhen dhe të vendosnin lule në sheshet e qyteteve kryesore të vendit.
Ndërkohë, trupi i Alexei Navalynt, do të mbahet nga autoritetet edhe për 14 ditë të tjera për kryerjen e ekzaminimeve. Kremlini që deri më sot ka qëndruar i heshtur reagoi përmes ambasadorit në OKB Vassily Nebenzia. Ai përmendi vazhdimin e një hetimi mjekësor kur u pyet në lidhje me vendimin e autoriteteve ruse për të mbajtur nën kontroll trupin e Navalnyt. Nebenzia deklaroi se hetimi mjeko-ligjor për vdekjen e Navalnyt nuk ka përfunduar ende ndaj dhe shkaku i vdekjes nuk ishte bërë i ditur.
“Duke theksuar se kjo është një tragjedi, dua të theksoj se udhëheqësit politikë perëndimorë u rreshtuan me akuza vetëm 15 minuta pasi u publikuan raportet e para për ndarjen nga jeta të Alexei Navalnyt. Duket sikur deklaratat ishin parapërgatitur. Dhe siç e dini, gruaja e tij rastisi aksidentalisht në Konferencën e Sigurisë në Mynih në të njëjtën kohë.”
Deri më tani informacionet në lidhje me rrethanat e vdekjes së Navalnyt kanë qenë kontradiktore, por gazeta britanike “The Times” ka mësuar se “dy ditë përpara vdekjes së Alexei Navalynt në burgun ‘Ujku Polar’ erdhën disa oficerë të FSB-së që çaktivizuan kamera dhe pajisje të dëgjimit në distancë.” Më herët, e veja e Navalnyt tha se ai është helmuar me agjentin nervor novicok. Të dyja pretendimet janë të vështira për t’u konfirmuar.
Çfarëdo arsye të japin autoritetet ruse, udhëheqësit perëndimorë kanë fajësuar presidentit Putin për vdekjen e Navalny. I vetmi që nuk akuzon Putinin është ish-presidenti amerikan Donald Trump.
Ndërsa reagoi i fundit, ai e krahasoi vdekjen e papritur të liderit të opozitës ruse me peripecitë ligjore me të cilat ai përballet në SHBA.
“Vdekja e papritur e Alexei Navalnyt më ka bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm për atë që po ndodh në vendin tonë”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Nikki Haley, e vetmja kandidate brenda republikanëve përballë Trumpit, e kritikoi në mënyrë të përsëritur gjatë fundjavës ish-presidentin për mospërmendjen e vdekjes së Navalnyt.