
SHBA- Kur astronautët Sunny Williams dhe Butch Wilmore iu afruan Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) në verën e vitit 2024 në kapsulën Starliner të Boeing, ata e dinin se nëse nuk do të arrinin në stacion, mund të mos ishin kurrë në gjendje të ktheheshin në Tokë.
"Ishte e nevojshme të lidheshim,"- i tha Wilmore BBC-së, dy muaj pas kthimit të tyre të suksesshëm në Tokë.
Nga një mision tetëditor në një aventurë nëntëmujore
Misioni i tyre ishte projektuar të zgjaste vetëm 8 ditë, por ata qëndruan në hapësirë për nëntë muaj. Momentet e para dramatike u shpalosën gjatë afrimit të tyre në stacion, kur motorët shtytës të Starliner dështuan të funksiononin. Mendimi se mund ta shihnin kurrë më Tokën u kaloi në mendje. Por askush nuk e shprehu hapur frikën.
"Ne jemi të trajnuar për të ecur përpara në zgjidhjen e problemeve. E kupton ku mund të përfundosh, por në të njëjtën kohë mendon: 'Çfarë kemi në dorë? Çfarë mund të bëjmë?'","- tha Williams.
Astronautët më në fund zbarkuan në Tokë më 18 mars 2025, pas shumë muajsh eksperimentesh në ISS.
Në fakt, aventura e tyre mori një kthesë politike kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, fajësoi paraardhësin e tij, Joe Biden, duke e akuzuar atë se "i kishte lënë austronautët në hapësirë". Megjithatë, të dy astronautët ruajtën distancën nga akuzat politike.
"Nuk mund të komentojmë për këto gjëra. Fluturimi hapësinor me pilot është jashtëzakonisht i vështirë,"-tha Wilmore.
Dy muaj pas kthimit të tyre në Tokë, të dy astronautët thonë se ndihen mirë dhe në gjendje të mirë fizike, falë stërvitjes që bënë në mjedisin me gravitet zero. Wilmore tha: U ktheva më i fortë se kurrë në jetën time normale; dhe Williams u pajtua, megjithëse ajo pranoi se kthimi në gravitetin e Tokës ishte i dhimbshëm. Tani, pas kthimit në Tokë, ata po punojnë ngushtë me NASA-n dhe Boeing për të zgjidhur problemet teknike të Starliner.
Ata mbeten optimistë për të ardhmen e anijes dhe thonë se janë gati ta fluturojnë përsëri./ZËRI