Bota

Ndahet nga jeta Peppe Vessicchio, dirigjenti legjendar i Sanremos

Lajmi është konfirmuar nga spitali San Camillo në Romë, ku artisti ishte shtruar pas një komplikacioni të rëndë në mushkëri. 

l.k
Ndahet nga jeta Peppe Vessicchio, dirigjenti legjendar i Sanremos
Giuseppe Vessicchio

ITALI- Një nga figurat më të dashura të muzikës italiane, dirigjenti dhe kompozitori Peppe Vessicchio, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga spitali San Camillo në Romë, ku artisti ishte shtruar pas një komplikacioni të rëndë në mushkëri. 

Në njoftimin zyrtar të spitalit thuhet se familja ka kërkuar që të respektohet ceremonia mortore, e cila do të zhvillohet në privatësi të plotë. Peppe Vessicchio, emri i plotë i të cilit është Giuseppe Vessicchio, u lind në Napoli më 17 mars 1956 dhe u bë një prej figurave më ikonike të Festivalit të Sanremos, ku për tri dekada ka qenë dirigjent dhe orkestrues i dhjetëra artistëve të njohur.

Gjatë karrierës së tij ai ka fituar katër herë Sanremon si dirigjent:

-në vitin 2000 me Avion Travel (“Sentimento”),

-në 2003 me Alexia (“Per dire di no”),

-në 2010 me Valerio Scanu (“Per tutte le volte che”),

-në 2011 me Roberto Vecchioni (“Chiamami ancora amore”).

Përveç suksesit në Sanremo, Vessicchio ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Andrea Bocelli, Zucchero, Ornella Vanoni, Ron, Biagio Antonacci, Roberto Vecchioni e shumë të tjerë. Ai ka dirigjuar orkestra në evente prestigjioze, përfshirë një koncert në Kremlin në nder të John Lennon-it, si dhe projektin unik Rockin' 1000, bandën më të madhe rok në botë.

Në vitet e fundit, dirigjenti kishte nisur të eksperimentonte me projekte të reja artistike dhe planifikonte një turne teatral me këngëtarin Ron, i titulluar “Ecco che incontro l’anima”.

Vessicchio ishte bërë i dashur edhe për publikun televiziv, falë pjesëmarrjes si mësues në spektaklin “Amici di Maria De Filippi”, ku fitoi simpatinë e audiencës për qetësinë dhe ironinë e tij. Në një nga intervistat e fundit, ai kishte lënë një mesazh që sot tingëllon si testament shpirtëror: “Qeshni me veten përpara se ta bëjnë të tjerët.”/ZËRI

Poll

MOS HUMB