Bota

Në shtëpi, në shkollë dhe në spital: si po vdesin qindra fëmijë ukrainas nga sulmet ruse

Mark i mbijetoi sulmit falë mbrojtjes së nënës së tij, por ai ka lëndime dhe një traumë që do të duhen shumë vite për t'u shëruar.

k.m.
Në shtëpi, në shkollë dhe në spital: si po vdesin
Foto ilustruese

UKRAINË- Natën e 18 majit, katërvjeçari Mark Ifiemenko ishte në shtëpi me prindërit e tij në Vasylkiv, një qytet i vogël pranë kryeqytetit ukrainas të Kievit. Ndërsa tingujt e shpërthimeve jehonin pranë shtëpisë së tyre 2-katëshe, nëna e Markut e zbriti me nxitim poshtë shkallëve, së bashku me gjyshërit e tij.

Më vonë do të dilte në dritë se brenda natës, Rusia kishte nisur një nga sulmet më të mëdha ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, me raportime për më shumë se 270 dronë dhe raketa që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit. Marku dhe familja e tij u fshehën në një dhomë që besonin se ishte më e sigurta. Ndërkohë, babai i tij, Sergei, nxitoi në kuzhinë për të mbyllur tubacionin kryesor të gazit. Ndërsa e bënte këtë, një dron Shahed - me madhësinë e një makine të vogël - goditi shtëpinë e tyre.

"Kishte tym dhe pluhur kudo, as nuk mund të merrja frymë. Fillova t’i thërrisja familjarët dhe vrapova drejt dhomës ku ndodheshin," thotë Sergey, 31 vjeç, i cili ishte kthyer nga shërbimi në vijën e frontit javën e kaluar.

"Për herë të parë pashë babanë dhe nënën time, ata ishin të plagosur. E pyeta nënën time se ku ishin Ana [gruaja e tij] dhe Marku, dhe ajo u përgjigj se Ana nuk ishte më me ne. Unë mbaja një elektrik dore dhe kur e drejtova poshtë, pashë se po qëndroja mbi trupin e gruas sime… droni i kishte shpuar kokën. Megjithatë, edhe në vdekje, ajo ishte mbështjellë në mënyrë mbrojtëse rreth Markut, i cili po qante,”-shtoi ai.

Menjëherë pasi e nxorri nga përqafimi i fundit i nënës së tij, Sergey e çoi me urgjencë Markun në shtëpinë e një të afërmi aty pranë dhe u kthye për të ndihmuar prindërit e tij. Të nesërmen në mëngjes, Mark u transportua në spitalin e fëmijëve Ohmatdyt në Kiev, ku kaloi 10 ditë në njësinë e kujdesit intensiv, pjesën më të madhe të së cilës e kaloi në koma.

Mark i mbijetoi sulmit falë mbrojtjes së nënës së tij, por ai ka lëndime dhe një traumë që do të duhen shumë vite për t'u shëruar. Ai ka fraktura në kafkë, një hundë të shtypur dhe lëndime që e kanë lënë të verbër në njërin sy.

Në shtëpi, në shkollë dhe në spital: si po vdesin
Mark

Ka pasur një rritje të ndjeshme të viktimave të fëmijëve në Ukrainë në muajt e fundit, pasi Rusia synon pa dallim zonat me popullsi të dendur civile, me 222 fëmijë të vrarë ose të plagosur midis marsit dhe majit të këtij viti dhe 2,889 në total që nga fillimi i pushtimit. Duke pasur parasysh vonesën në verifikimin e vdekjeve, OKB-ja thotë se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Grupi ukrainas i të drejtave të njeriut thotë se sulmet e Rusisë nuk janë aksidentale dhe duhet të dënohen më fuqishëm nga udhëheqësit ndërkombëtarë.

“Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, shënjestrimi i qëllimshëm i infrastrukturës civile - veçanërisht shkollave, spitaleve dhe vendeve ku mblidhen fëmijët - konsiderohet krim lufte”, thotë Daria Kasyanova, kryetare e Rrjetit ukrainas për të Drejtat e Fëmijëve.

Për fëmijë si Marku që kanë mbijetuar, lëndimet - fizike dhe emocionale - që janë shkaktuar janë jetëndryshuese. Një anketë e UNICEF-it në fillim të këtij viti, vlerësoi se të paktën një në pesë fëmijë në Ukrainë kanë përjetuar një humbje personale nga lufta, qoftë një vëlla/motër, prind apo mik.

Sergey thotë: Ai pyet për Mamusya-n [një term ukrainas përkëdhelës për nënën] dhe e ndjen shumë mungesën e saj. I tregova të vërtetën për atë që i ndodhi asaj. Sa shumë e donte dhe si bëri gjithçka që ai të ishte i lumtur. Unë them se ajo është bërë engjëlli i tij mbrojtës."

Përveç vizitave të rregullta në spital për të trajtuar lëndimet e tij dhe, së fundmi, për të vendosur një sy protetik, Sergey thotë se djali i tij ka probleme me gjumin, si dhe me të nxënit dhe zhvillimin e tij.

"Ndonjëherë është shumë e vështirë për të sepse është vetëm një fëmijë. Ai reagon ndaj tingujve të lartë, madje dridhet nga çdo gjë që mund të tingëllojë si një dron."

Kasyanova, e cila punon gjithashtu me një strehë për fëmijë pa prindër ose kujdestarë, thotë se lufta po ka një ndikim shumëdimensional tek fëmijët në Ukrainë.

"Ka fëmijë dhe adoleshentë që nuk e kanë njohur kurrë paqën pasi kanë lindur në konflikt ose kanë jetuar pjesën më të madhe të jetës së tyre në luftë. Kuptimi i tyre për fëmijërinë është formuar nga humbja, zhvendosja, deportimi, frika dhe paqëndrueshmëria. Nëse kjo traumë nuk trajtohet siç duhet, ajo mund të ketë pasoja afatgjata në aftësinë e tyre për të mësuar, për të ndërtuar marrëdhënie, për t'u besuar të tjerëve. Në disa raste, kjo traumë mund t'u kalohet edhe brezave të ardhshëm,”- thotë Kasyanova.

Nëse kjo traumë nuk trajtohet siç duhet, ajo mund të ketë pasoja afatgjata në aftësinë e tyre për të mësuar, për të ndërtuar marrëdhënie, për t'u besuar të tjerëve. Në disa raste, kjo traumë mund t'u kalohet edhe brezave të ardhshëm.

Sergey, i cili tani është kthyer përgjithmonë nga vija e frontit për t'u kujdesur për të birin, thotë se dëshiron vetëm të bëjë gjithçka që mundet për ta bërë jetën e Markut të lumtur, pavarësisht lëndimeve dhe traumës së tij.

"Nuk dua që një fëmijë tjetër ukrainas të rritet të përjetojë luftën. Ata nuk kanë bërë asgjë të gabuar për t'u vrarë ose lënduar në këtë mënyrë. Ata nuk e meritonin këtë,"- thotë ai.

Marrë nga TheGuardian

Poll

MOS HUMB