
SHBA- Projekti i familjes Trump për të ndërtuar një hotel luksoz në Serbi, është përballur me një ndërlikim të sikletshëm. Një dokument "kyç" mbi të cilin qeveria serbe është mbështetur për të zbatuar këtë marrëveshje është falsifikuar. Kështu thanë zyrtarët për "NYTimes".
Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Trump, dhe partnerët e tij të biznesit planifikojnë të ndërtojnë një kompleks luksoz në vendin e boshatisur prej kohësh. Kreu i agjencisë serbe, i ngarkuar me mbrojtjen e monumenteve kulturore pranoi para autoriteteve se kishte falsifikuar një dokument qeveritar që lejonte shembjen e ish-selisë së Ministrisë së Mbrojtjes së Jugosllavisë në Beograd për ta zëvendësuar me hotelin që do ndërtojë Kushner.
Projekti fitoi miratimin paraprak nga qeveria serbe vitin e kaluar, madje edhe para se qeveria të ndërmerrte veprime zyrtare për të revokuar statusin e mbrojtur historik të ish-kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili u dëmtua rëndë gjatë një fushate bombardimi të vitit 1999 nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Zyrtarët e qeverisë serbe thonë se kreu i agjencisë, Goran Vasiç sajoi një opinion eksperti për të justifikuar vendimin e qeverisë për t'i hequr godinës statusin e trashëgimisë kulturore.
“Vasiç falsifikoi një vendim për revokimin e statusit të pronës kulturore,”- tha Zyra e Prokurorit për Krimin e Organizuar në një deklaratë zyrtare.
“Goran Vasiç shkaktoi dëme në trashëgiminë kulturore të Republikës së Serbisë.”
Vasiç, i cili ka shërbyer si drejtor në detyrë i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës që nga qershori, tani përballet me akuza për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Affinity Partners, kompania e Kushner, tha në një deklaratë se nuk kishte luajtur asnjë rol në shqyrtimin e statusit kulturor të godinës. Puna në Beograd nuk ka filluar ende dhe fati i projektit tani është më pak i qartë, të paktën kështu deklaroi kompania.
“Sot mësuam nga raportimet e medias se një ish-zyrtar i qeverisë serbe pa lidhje me firmën tonë dyshohet se ka falsifikuar dokumente që lidhen me përcaktimin historik të projektit të Sheshit të Beogradit. Ne do ta shqyrtojmë këtë çështje dhe do të përcaktojmë hapat e mëtejshëm.”
Në Serbi, perspektiva që kompleksi historik të shembet dhe të zëvendësohet me një hotel luksoz në dobi të presidentit amerikan ka shkaktuar zemërim. Udhëheqësit e opozitës në Parlamentin e Serbisë po e vënë në dukje se dokumenti ishte i falsifikuar si provë se bizneset e familjes Trump dhe Kushner siguruan një marrëveshje të dyshimtë.
"E gjithë kjo ndodhi për t’i bërë "nder" familjes Trump", tha Dragan Joniç, një ligjvënës që ka ndihmuar në udhëheqjen e protestave kundër projektit.
Toka në vend është planifikuar t'i jepet me qira Kushner dhe partnerëve të tij për 99 vjet./ZËRI