NEW YORK- Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro do të dalë sot para një gjykate në New York. Maduro kërkon që aktakuza ndaj tij për trafik droge të rrëzohet, pasi u vetëdeklarua i pafajshëm.
Avokati i Maduros pretendon se SHBA-ja po shkel të drejtat kushtetuese të liderit të rrëzuar duke bllokuar përdorimin e fondeve të qeverisë venezueliane për të paguar shpenzimet e tij ligjore.
Është hera e parë që Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, do të jenë në gjykatë që nga seanca e janarit, ku ai kundërshtoi kapjen e tyre nga forcat ushtarake amerikane dhe deklaroi se është i pafajshëm.
“Unë jam i pafajshëm. Nuk jam fajtor. Jam një njeri i ndershëm, presidenti kushtetues i vendit tim”, ka deklaruar ai në paraqitjen e parë.
Më 3 janar, Maduro u arrestua nga forcat amerikane në Karakas dhe u dërgua me aeroplan në Shtetet e Bashkuara për shkak të akuzave për trafik narkotikësh dhe bashkëpunimit të tij të dyshuar me trafikantë droge dhe grupe kriminale si në Venezuelë ashtu edhe në Kolumbi./ZËRI



