
PARIS- Ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, i është hequr medalja e Legjionit të Nderit, dekorata më e lartë e vendit. Kjo për shkak se dënimi i tij për korrupsion u konfirmua vitin e kaluar. Presidenti konservator është përballur me probleme ligjore që kur u largua nga detyra në vitin 2012. Në dhjetor, gjykata më e lartë e Francës mbështeti dënimin e tij për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion, duke e urdhëruar që të mbante një byrzylyk elektronik në kyçin e këmbës për 12 muaj.
Sarkozy, i cili mbetet një figurë e rëndësishme në politikën franceze, ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në vitin 2021, pasi u konfirmuan pretendimet se kishte tentuar që të korruptonte një një gjyqtar për të marrë informacion konfidencial në lidhje me një hetim mbi financat e fushatës së tij të vitit 2007. Sipas "The Guardian", ish-presidentit iu hoq byrzylyku elektronik këtë muaj, ndërsa tani e ka çuar çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Presidenti aktual, Emmanuel Macron argumentoi kundër vendimit, por shtoi se rregullat e çmimit më të lartë shtetëror të Francës përcaktojnë se çdo i dënuar me burg do të përjashtohet nga mbajtja e urdhërit. Presidenti francez, i cili njihet për takimet e rregullta me Sarkozinë, kishte argumentuar se është shumë e rëndësishme që ish-presidentët të respektohen.
Në historinë e Francës, të vetmit ish-president që i është revokuar urdhëri "Legjioni i Nderit", është Philippe Pétain. Ai ishte bashkëpunëtor nazist gjatë kohës së luftës dhe u dënua në gusht 1945 për tradhti të lartë dhe komplot me armikun. Persona të tjerë që iu është hequr titulli janë: ish-presidenti sirian Bashar al-Assad, 7 herë fituesi i "Tour de France", Lance Armstrong, i cili u zbulua se kishte përdorur drogë dhe producenti i filmave Harvey ëeinstein, i dënuar për abuzim seksual.
Problemet ligjore të Sarkozisë nuk kanë mbaruar ende. Ai është dënuar për financim të paligjshëm të fushatave të tij elektorale në vitin 2012 dhe aktualisht është në gjyq pasi dyshohet se ka pranuar financimit të paligjshëm të fushatës nga diktatori i ndjerë libian, Muamar Gadafi.
Gjykata pritet të japë vendimin e saj për rastin e fundit në shtator dhe prokurorët kanë kërkuar një dënim me shtatë vjet burg. Sarkozy i mohon akuzat./ZËRI