
KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se vendi është i gatshëm për çdo skenar të Serbisë. Osmani është shprehur se Kosova do të ndërmarrë masat e nevojshme për ta ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial.
Presidentja gjithashtu tregoi se është ne kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe partnerët ndërkombëtarë që të mbrohet Kosova.
“Unë jam në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që t'i ndërmarrim te gjitha masat e nevojshme që ta mbrojmë Kosovën, që ta mbrojmë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin. Serbia nuk mendon mirë, nuk është që planifikon mirë. Me rëndësi është që ne jemi të gatshëm për çdo skenar", deklaroi Osmani.
Ndër të tjera Osmani reagoi edhe në lidhje me anulimin e takimit me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, duke shprehur se ka qenë vetëm çështje minutash.
"Nuk ka pasur anulim, siç ka njoftuar edhe zyra ime, ka qenë çështje disa minutash, çështje e qartë protokollare. Natyrisht që dera e presidencës si institucioni më i lartë në vend është gjithnjë i hapur, siç ka qenë edhe deri më tani në mënyrë qe me përfaqësuesit e partive opozitare të diskutojmë", tha Osmani.
Takimi mes Vjosa Osmanit dhe Ramush Haradinajt kishte të bënte për diskutimet në lidhje me Asosacionin. Presidetja e Kosovës Vjosa Osmanit ka ftuar në takim tre liderët e opozitës, por deri më tani është takuar vetëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku./ZËRI