Bota

Osmani "ofertë" opozitës: Nëse votoni ndryshimet kushtetuese, caktoni zgjedhjet

Sipas tij, mazhoranca është e gatshme t’i ofrojë opozitës mundësinë të caktojë ajo datën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.

k.m.
Osmani "ofertë" opozitës: Nëse votoni ndryshimet
Bujar Osmani

SHKUP- Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani i ka bërë një ofertë të re për opozitën e vendit, VMRO – DPMNE-së. Qëllimi mbetet i njëjti, për të mundësuar miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë. Sipas tij, mazhoranca është e gatshme t’i ofrojë opozitës mundësinë të caktojë ajo datën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Por kushti është që opozita më parë të votojë ndryshimet që kërkohen edhe nga ndërkombëtarët.

Në të kundërt, sipas Osmanit, zgjedhjet do të 'lihen' për vitin e ardhshëm. 

“Nëse i votojnë ndryshimet kushtetuese do t’i lëmë ata të vendosin kur do të jenë zgjedhjet. Kurdo që dëshirojnë. Sot, nesër, pasnesër – menjëherë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese. Mendoj se kjo është një ofertë ‘fair’ nga ana jonë. Nëse jo, shkojmë në zgjedhje të rregullta. A do të jenë së bashku, a do të jenë ndaras, ajo është çështje e logjistikë, teknike,”-është shprehur Osmani. 

Më herët, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski ka propozuar që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbahen të dyja në të njëjtën kohë, në një prej datave mes festave fetare të Ramazanit dhe Pashkëve. Por datë konkretë nuk kanë bërë me dije publikisht. 

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, më herët ka thënë se opozita është e gatshme të mbështesë ndryshimet kushtetuese, nëse do të formohej një qeveri e re, pa BDI-në, si dhe nëse ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Por, një kërkesë e tillë e VMRO-së është refuzuar edhe nga Bashkimi Evropian, pasi ndryshimet kushtetuese duhet të hyjnë në fuqi para se të nisin bisedimet me BE-në për kapitujt e anëtarësimit. Ndryshimet në kushtetutë duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues dhe bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, apo bllokimit të bisedimeve, ashtu siç bëri edhe në vitin 2020. Opozita maqedonase është kundër ndryshimeve, pasi sipas saj, “pala bullgare nuk do të ndalet me kushtëzimet e saj edhe sikur të miratohen këto ndryshime”./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB