Bota

Osmani pret Blinkenin, Sekretari Amerikan i shtetit s'do e takojë Lavrovin

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka pritur në Shkup Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Ky i fundit nuk do të takojë ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, që pritet të jetë në Këshillin Ministror të OSBE-së.

D.XH
Osmani pret Blinkenin, Sekretari Amerikan i shtetit s'do e takojë
Anthony Blinken dhe Bujar Osmani

SHKUP- Ngjarjet aktuale në Europë, sidomos në luftën në Ukrainë, kanë qenë temat kryesore që janë diskutuar në Shkup ndërmjet Antony Blinken dhe Bujar Osmanit. Ato së bashku kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe kanë shprehur mbështetje për popullin ukrainas.

Takimi mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëkohësisht kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken u realizua në Shkup, pasi zyrtari amerikan ka udhëtuar në Ballkan, për të qenë i pranishëm në takimin ministror të OSBE-së, që zhvillohet nga data 30 nëntor deri më 1 dhjetor në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

“Si partnerë strategjikë dhe anëtarë të NATO-s, mbetemi të vendosur për të mbështetur Ukrainën dhe të mbrojmë vlerat dhe parimet demokratike. Ne dënojmë fuqishëm agresionin ushtarak rus, që paraqet sulm ndaj sovranitetit të shtetit ukrainas dhe integritetit territorial të Ukrainës. Kjo luftë paraqet një rrezik të madh dhe për paqen në botë”, tha Osmani.

Blinken dhe Osmani përshëndetën vendimin, që Malta të jetë kryesuesja e ardhshme e OSBE-së. “Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken, raporton Rel.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka mbërritur në Shkup këtë të mërkurë, për të qenë i pranishëm në takimin ministror të OSBE-së, që zhvillohet nga data 30 nëntor deri më 1 dhjetor në Shkup. Blinken u takua fillimisht me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski. Mësohet se Blinken nuk do të ketë një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ky i fundit do të jetë në Shkup, pasi qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe e Bullgarisë pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë, për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës. Sekretari amerikan i Shtetit nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.

Në takimin e OSBE-së do të marrin pjesë 76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të organizatës. Pjesëmarrja e Lavrov në Këshillin Ministror të OSBE-së ka bërë që ministrat e jashtëm të Ukrainës, por edhe të vendeve baltike (Estonia, Letonia dhe Lituania) të mos udhëtojnë drejt Shkupit./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB