
SHBA- Tjetër alarm për kandidatin republikan për president të Amerikës, Donald Trump. Stafi i tij ka bërë me dije se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri pranë vendit ku ai po luante golf.
“Presidenti Trump është i sigurt. Nuk ka detaje të tjera për momentin,"- tha zëdhënësi i fushatës së Trump, Steven Cheung në një deklaratë që nuk dha detaje shtesë.
Ish-presidenti ishte duke luajtur golf në klubin të golfit Trump në West Palm Beach. Aktualisht, sipas burimeve policore, informacionet paraprake bëjnë me dije se kanë qenë dy persona që kanë shkëmbyer të shtëna jashtë fushës së golfit. Po ashtu, shpjegojnë se në fakt dy personat po qëllonin njëri-tjetrin dhe jo Trump.
Sipas djalit të ish-presidentit Donald Trump Jr., një armë zjarri AK-47 është gjetur e hedhur pranë disa shkurreve, ndërkohë që një person është arrestuar. Shërbimi Sekret përmes një postimi në platformën X njoftuan se ish-presidenti është i sigurt dhe se po punojnë me Zyrën e Sherifit të Qarkut Palm Beach për të zbardhur shkaqet. Ende nuk ka asnjë detaj lidhur me identetin e personit, apo personave të përfshirë në ngjarje.
Sipas CNN, autoritetet besojnë se personi ka qëlluar duke synuar Trump, por ekipi i sigurisë ka identifikuar drejtimin nga po vinin të shtënat dhe kanë hapur zjarr. Në këtë pikë, personi është arratisur, por është kapur pas disa kilometrash.
"Autoritetet kanë gjetur në hapësirën e fushës së golfit një çantë, një kallashnikov dhe një telekamerë Go-Pro."
REAGIMET
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe zëvendëspresidentja e tij Kamala Harris thonë se janë "të lehtësuar" që Donald Trump është "i sigurt dhe shëndoshë e mirë". Sipas një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, presidenti dhe zëvendëspresidentja u informuan menjëherë për incidentin e sigurisë në fushën e golfit Trump International (në Florida), ku ish-presidenti ishte duke u praktikuar.
"Jemi të lehtësuar se Trump është shëndoshë e mirë. Do të përditësohemi rregullisht për ngjarjen nga ekipet tona."
Një reagim ka ardhur edhe nga vetë Trump. Ai ka thënë përmes një email se është “i sigurt dhe mirë” pas incidentit të sigurisë në fushën e tij të golfit në Florida të Jugut më herët të dielën.
“Kishte të shtëna armësh në afërsi, por përpara se thashethemet të dilnin jashtë kontrollit, doja që së pari ta dëgjonit këtë: JAM I SIGURT DHE MIRË! Asgjë nuk do të më ndalë. Nuk do të dorëzohem kurrë,”-u shpreh kandidati për president.
Para se ndodhte incidenti, Trump sapo kishte postuar në rrjetet e tij sociale.
“E urrej Taylor Swift,”-shkruante ai në "Truth Social". E gjitha sepse Taylor Swift mbështeti publikisht Kamala Harris për presidente vetëm pak çaste pas përfundimit të debatit presidencial kundër Trump.
Ish-Presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesëm perëndimore të vendit, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah. Masat e sigurisë për kandidatin republikan janë shtuar pas atentatit ndaj tij në korrik. Dy muaj më parë, Trump u qëllua gjatë një atentati në një tubim në Pensilvani dhe një plumb e plagosi në vesh./ZËRI