QIPRO - Pesë izraelitë kanë dalë në gjyq në Qipro, të akuzuar për përdhunimin në grup të një 20-vjeçareje britanike muajin e kaluar.
Përdhunimi thuhet të ketë ndodhur në një hotel në Ayia Napa, një vend i njohur turistik. Seanca u mbajt në një sallë gjyqi në Famagusta, në veri të Ayia Napa. Gjyqi ishte mbushur me të afërm të të pandehurve, që mbështetën të akuzuarit. Të pandehurit janë të gjithë 19 ose 20 vjeç dhe janë nga qyteti i Majd al-Krum. Të akuzuarit kanë mohuar akuzat.
Në seancën e të enjtes, avokatët e tyre u ankuan se nuk kishin parë ende provat kryesore, përfshirë raportin e ADN-së. Njëri pretendoi se raporti mund të tregonte se dy klientët e tij nuk ishin në dhomë në kohën e sulmit seksual të supozuar, më 3 shtator. Prokurori i shtetit tha se raporti i ADN-së do të jetë gati deri në fund të ditës.
Pas shtyrjes së seancës, familjarët e të pandehurve nxituan të përqafonin të rinjtë që ndodheshin në bankën e të akuzuarve, me njërin nga të pandehurit, që qante dukshëm teksa përqafonte nënën e tij.
Një ish-deputete qipriote, Skevi Koukouma, mori pjesë gjithashtu në seancë, së bashku me anëtarët e një lëvizjeje të të drejtave të grave, e quajtur “Pogo”. Koukouma tha se ajo dhe anëtarët e organizatës së saj ishin në gjyq, për të dërguar një mesazh se viktimat e abuzimit duhet të flasin dhe se zëri i tyre mund të dëgjohet. “Ata nuk janë vetëm”, shtoi ajo. Gjyqi do të rifillojë më 16 tetor. Ministria e Jashtme e Izraelit njoftoi se gjashtë shtetas të Izraelit ishin arrestuar për sulmin e supozuar seksual në Qipro./Zëri.ai/