
KOSOVË- I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçkak ka ndarë detaje nga takimi i zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherazi kryenogociatori i Prishtinës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi. Sipas emisarit të BE-së fokusi i bisedës së tyre ka qenë çështja e dinarit serb dhe respektimi i marrëveshjeve të arritura nga palët.
“Kemi një listë të gjatë të çështjeve për të cilat kemi diskutuar, por më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes Bazë. Është në interesin e të gjithëve që të shohim përparim më të shpejtë në këtë drejtim”, tha Lajçak për gazetarët në Prishtinë, raporton REL.
Lajçak e vendosi theksin tek marrëveshja e arritur vitin e shkuar në Bruksel dhe më pas në mars në Ohër u arrit pajtim për Aneksin e saj, është ligjërisht e obligueshme, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë.
“Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që mund të siguronin Kosova dhe Serbia. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, ajo veçse do të ishte propozuar. Prandaj, është në interesin e të gjithëve që të nisin zbatimin e saj. Me këtë marrëveshje ne kemi përgjigje në pyetjet se si çfarë të bëjmë dhe kur ta bëjmë. E vetmja pyetje që mbetet është se kur dhe unë pyes: Pse të presim? Kjo marrëveshje është e mirë dhe duhet të nisë së zbatuari”, tha ai./ZËRI