KOSOVË- Qeveria e Kosovës ka ndaluar kryenegociatorin serb në dialogun Kosovë-Serbi Petar Petkoviç që të hyjë në Kosovë gjatë festimeve të Pashkëve. Lajmin e kanë bërë me dije mediat serbe, të cilat shkruajnë se vizita ishte e karakterit fetar dhe jo politik. Petkoviç, pritej të vizitonte manastirin e Deçanit dhe Draganacit dhe të zhvillonte takime me besimtarët.
“Edhe pse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte vizita në manastire dhe vende të shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe mes serbëve, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”, shkruajnë mediat serbe.
Më tej mediat serbe shkruajnë se institucionet e Kosovës ishin njoftuar më herë për këtë vizitë, por nuk e kanë lejuar. Ndër të tjera vihet theksi tek anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, por dhe debatet e fundit që lidhen me dinarin serb./ZËRI