
SERBI- Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, pas takimit të zhvilluar në Bruksel. Duke folur për gazetarët kryenegociatori serb, Petar Petkoviç tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.
“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë. Ka përfunduar takimi i katërt me radhë ku ishte temë heqja e dinarit. Shfrytëzuam rastin që edhe një herë të theksojmë pozitën e vështirë të popullit serb në Kosovë dhe Metohi për shkak të pamundësisë që populli ynë të marrë rroga dhe pensione. Edhe një herë e kemi përkrahur fuqimisht formimin e ZSO-së, theksova se kanë kaluar 4000 ditë që kur Prishtina e ka nënshkruar. Kur është fjala për zgjidhjen e propozuar kur flasim për transaksionet e pagesave, ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin tonë, propozimin tonë, që nënkupton një zgjidhje kompromisi, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga Prishtina si të thuash”,-tha ai.
Petkoviç i bëri këto deklarata pas takimit trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Në takimin e kaluar në Bruksel, Petkoviq kishte thënë se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.
Ditën e sotme, Lajçak zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviç. Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend./ZËRI