
PRISHTINË- Vajza e 'Heroit të Kosovës post-mortem”, reshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht dje në veri i ka përlotur të gjithë me fjalimin e saj. Me lot në sy, para të gjithë të pranishmëve, e bija i ka dedikuar fjalë prekëse të atit, duke i dhënë lamtumirën e fundit.
Arbenita e përlotur është shprehur se është krenare me babain e saj, i cili ka rënë dëshmor në krye të detyrës.
"Heroi babai im, sa vështirë e kam të shkruaj për ty. Para kohe unë mbeta jetim. Nuk e besoj! Ikja jote babi na la me mall të madh në zemrat tona. Nuk e di se si jetoj unë pa ty. Si jetoj unë pa heroin tim. Hyra brenda në shtëpi dhe ty nuk të pashë. Vendin tënd në shtëpi nuk e zëvendëson askush. Të gjitha na mësove por si të jetojmë pa ty asnjëherë. Babi...Ti ishe njeri i dashur, për familjen, shoqërinë ashtu edhe për punën. E flijove jetën për liri, për këtë vend, që ne dhe Kosova dhe Kosova të jemi krenar me ty. Të premtoj babi që do të jem gjithë krenar me ty. Do të ndjekim rrugën tënde. Me mall dhe me dhimbje do të të kujtoj gjithmonë, heroi im. Babai im,"-thotë vajza e tij me lot në sy.
Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm kriminal në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.
Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, ndërkohë që situata në veri të paktën mëngjesin e sotëm është paraqitur e qetë, me Manastirin e Banjskës që është nën kontroll nga policia e Kosovës, në të cilin u gjetën sasi të mëdha armësh dhe municioni. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai