
PRISHTINË- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë sot Kosovën në kuadër të vizitës që po zhvillon në Ballkanin Perëndimor. Von der Leyen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti. Sipas agjendës, Von der Leyen do të takohet me Osmanin në orën 09:45 dhe më pas do të mbajën së bashku një konferencë për mediat. Pas konferencës, ajo do të takohet me Kurtin në orën 11:15.
Presidentja e KE-së e nisi turin e saj në Tiranë, më pas vizitoi Shkuptin, Beogradin, Sarajevën dhe sot Prishtinën, ndërsa e mbyll vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor me Podgoricën. Gjatë vizitës në Tiranë, Von der Leyen ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet i saj edhe në mandatin e saj të dytë si shefe e organit ekzekutiv të bllokut.
“Zgjerimi është përparësi e lartë edhe në mandatin tim të ardhshëm. Ka të bëjë me planin tonë të rritjes për Ballkanin Perëndimor, e diskutuam edhe në Berlin. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët me partnerët e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Von der Leyen.
Gjatë vizitës së saj në Tiranë, ajo tha se Shqipëria do të marr një financim prej 64 milion eurosh deri në fund të vitit dhe gjithashtu edhe 920 milion euro nga plani i rritjes. /ZËRI