
PARIS- Disa orë përpara ceremonisë së hapjes për Lojërat Olimpike të Parisit, kompania franceze hekurudhore "SNCF" ka dalë me një njoftim urgjent. Në njoftimin për shtyp, SNCF thotë se rrjeti i saj i shpejtësisë së lartë është vënë në shënjestër të "akteve dashakeqe" që synojnë paralizimin e sistemit.
"Zjarret janë ndezur që të dëmtohen linjat,"-shkruhej në njoftimin e kompanisë franceze.
Disa linja TGV me shpejtësi të lartë janë goditur në perëndim, veri dhe lindje të Parisit duke krijuar radhë të gjata në stacionin Montparnasse, i cili shërben për destinacionet në perëndim të kryeqytetit. Ministri i Transportit Patrice Vergriete ka dënuar ashpër "aktet kriminale", ndërkohë që SNCF ka paralajmëruar se situata mund të zgjasë "të paktën gjatë gjithë fundjavës derisa të kryhen riparimet e dëmtimeve".
Më shumë se 300,000 spektatorë priten në zemër të Parisit të premten për një ceremoni hapëse që do të shohë mijëra atletë olimpikë duke lundruar përgjatë lumit Senë./ZËRI