Bota

Protesta në 200 zona/ Vuçiç takim me qeverinë, thirrje për dialog: S’ka zgjedhje të parakohshme

Në kërkesën e tij, Vuçiç shprehet se është gati të dëgjojë kërkesat e studentëve që të gjejnë një zgjidhje së bashku.

I.F
Protesta në 200 zona/ Vuçiç takim me qeverinë, thirrje
Studentët në Serbi

BEOGRAD- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç pas një takimi me qeverinë e tij, bëri thirrje Kolegjiumit të Rektorit të Universitetit të Beogradit që me datë 5 shkurt të zhvillojnë një takim për të diskutuar së bashku rreth situatës aktuale që po ndodh në vend. Në kërkesën e tij, Vuçiç shprehet se është gati të dëgjojë kërkesat e studentëve që të gjejnë një zgjidhje së bashku.

“Nëse studentët dhe profesorët janë të mendimit se disa nga kërkesat nuk janë plotësuar ose nuk janë plotësuar plotësisht, është e nevojshme të hapet dialog për këtë, si dhe për të gjitha çështjet e tjera që mund të jenë të rëndësishme për tejkalimin e situatës aktuale”, tha presidenti Vuçiç.

Ndërsa, ministri i Brendshëm Ivica Daçiç, pas takimit deklaroi se nuk do të ketë qeveri tranzicionale, eksperte apo krize. Ai tha se ka propozuar se pas dorëheqjees së kryeministrit Millosh Vuçeviç të formohet një qeveri e re, duke vlerësuar se është më mirë të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

Daçiq tha se duhet të ketë rregullsi sa i përket mandateve të institucioneve të rëndësishme si pushteti legjislativ dhe ekzekutiv dhe theksoi se shumica parlamentare nuk ndjehet e kërcënuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Ndërsa akuzoi opozitën për destabilitet dhe po e përdor këtë situatë për të sulmuar qeverinë.

Ndërsa mijëra studentë e kaluan natën jashtë, pasi bllokuan tre urat kryesore në vend Varadin, Zhezhele dhe atë të Lirisë. Ndërsa sot protesta e tyre është përhapur në 200 zona në vend. Edhe më shumë qytetarë po i bashkohen protestës së studentëve, dhe fermerë të shumtë janë nisur për në Beograd për t’i mbështetur. Ndërsa, studentët kanë refuzuar kërkesën e opozitës për t’iu bashkuar atyre, duke thënë se kjo është protesta e tyre dhe jo e politikës.

Para tre muajsh në qytetin e Novi Sad tavani i një stacioni hekurudhor u shemb, ku si pasojë humbën jetën 15 persona. Pas kësaj tragjedie, për tre muaj protestat nuk kanë ndalur në Beograd, pasi qytetarët akuzojnë qeverinë se qëndron pas kësaj, për shkak të korrupsionit që ka “pushtuar” vendin.

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024. Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale. Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet. /ZËRI

Poll

MOS HUMB