
BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u është drejtuar qytetarëve përmes një video-mesazhi të postuar në llogarinë “E ardhmja e Serbisë” në Instagram. Fjalimin e tij e nisi me një falenderim për të gjithë ata që kanë protestuar, por edhe me ata qytetarë që nuk "pajtohen" me tubimet që kanë pushtuar vendin. Kreu i shtetit serb tha se është e rëndësishme që “bisedimet me profesorët, përfaqësuesit e universiteteve të fillojnë sa më shpejt”.
"Të nderuar qytetarë, dua t'i falënderoj të gjithë, si ata që morën pjesë në protestat e djeshme dhe sot, por edhe numrin e madh të qytetarëve që nuk pajtohen me protestat, dhe që me qetësi dhe durim pritën përfundimin e demonstratave. Ky është një mësim shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. E rëndësishme, sepse ne kemi ruajtur paqen, stabilitetin dhe shpresën për të ardhmen. E rëndësishme është që diskutimet me pedagogët dhe përfaqësuesit e universiteteve të fillojnë sa më shpejt. Askush të mos i shmanget përgjegjësisë. Ata duhet të kuptojnë mirë se zgjidhjet mund të arrihen vetëm me bisedë. Gjithashtu dua të falënderoj të gjithë njerëzit anembanë Serbisë, njerëzit e thjeshtë, të cilët po dërgojnë fjalë mbështetjeje. Kur them fjalë përkrahjeje, jo për mua personalisht, por për shtetin e Serbisë. Jam absolutisht i palëkundur në gjykimin tim se Serbia mund dhe duhet të ketë vetëm një qeveri serbe. Nëse jo, atëherë është koha për zgjedhje të reja. Nuk na duhen qeveri të imponuara nga jashtë, dhe qeveri të imponuara pa zgjedhje dhe vullnetin e popullit. Unë do të mbetem i vendosur për qytetarët e Serbisë, sepse ju më keni zgjedhur mua dhe nuk do të heq dorë kurrë nga një Serbi e suksesshme dhe progresive. Faleminderit shumë,"-tha Vuçiç në fjalimin e tij.
Para tre muajsh në qytetin e Novi Sad tavani i një stacioni hekurudhor u shemb, ku si pasojë humbën jetën 15 persona. Pas kësaj tragjedie, për tre muaj protestat nuk kanë ndalur në Beograd, pasi qytetarët akuzojnë qeverinë se qëndron pas kësaj, për shkak të korrupsionit që ka “pushtuar” vendin. Protestuesit kërkojnë që përgjegjësit për aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale. Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet. Deri tani nga protestat është tërhequr kryeministri Milosh Vuçeviç, por as kjo lëvizje nuk i ka kënaqur protestuesit./ZËRI